Varianti “Omicron”, rikthehet pasiguria mbi udhëtimet
Rreth dy vjet pasi COVID-19 u raportua për herë të parë në Kinë, varianti i ri i zbuluar nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut ka bërë që shumë vende të vendosin masa të reja kufizuese lidhur me udhëtimet. Siç raporton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Saqib Ul Islam ekspertët e shëndetësisë janë të ndarë rreth këtyre masave, materiali na sjell më shumë detaje.
Shtetasja amerikane, Portia Steele po vizitonte Parkun Kombëtar “Kruger”, në periferi të Johanesburgut, kur dëgjoi për kufizimet e reja lidhur me udhëtimit që do të vendoseshin nga Shtetet e Bashkuara me Afrikën e Jugut.
“Miqtë e mi dhe familja po më dërgonin mesazhe në telefon mbi masat kufizuese që po vendoste Mbretëria e Bashkuar e më pas Shtetet e Bashkuara”, tregon Portia Steele për Zërin e Amerikës.
Ajo vendosi ta ndërpresë vizitën dhe rezervoi bileta për katër fluturime të ndryshme për në SHBA, përpara se të hynin në fuqi kufizimet.
“Kishte shumë qytetarë amerikanë të përlotur në aeroport të cilët përpiqeshin të gjenin mënyra për të shkuar në shtëpi”, tregon Portia Steele për Zërin e Amerikës.
Për të hipur në avion nga Johannesburg, Portia Steele duhet të kishte me vete kartën e vaksinimit si dhe një test negativ për COVID-19.
Kur mbërriti në SHBA, ajo u kontaktua nga zyrtarët e Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve dhe pasi u testua sërish u fut në karantinë.
“Të udhëtosh gjatë periudhës së pandemisë duhet të marrësh parasysh gjithashtu se situata mund të ndryshojnë në çdo moment. Unë thjesht paralajmëroj këdo që të jetë fleksibël sepse asnjëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë nëse jeni jashtë vendit”, tregon ajo.
Ndërsa janë shënuar pothuajse dy vjet që bota është përfshirë nga pandemia, disa ekspertë të shëndetësisë i shohin me dyshim kufizimet ndaj udhëtimeve, duke thënë se ato nuk janë efektive.
“Mendoj se ato nuk po na ndihmojnë aspak”, thotë doktor Patrick Jackson, studiues i sëmundjeve infektive në Universitetin e Virxhinias.
Ai thotë se është pothuajse e sigurt se bota do të shohë më shumë variante të koronavirusit në zona me shkallë të ulët vaksinimi, si Afrika e Jugut. Zoti Jackson u bën thirrje vendeve që të përqëndrohen më shumë në vaksinimin e popullatës, sesa tek kufizimi i udhëtimeve.
“Një nga dështimet kryesore të politikës sonë gjatë kësaj pandemisë ka qenë mosdhënia e vaksinave për vendet e varfra e që të sigurohemi që popullata globale të vaksinohet”, thotë për Zërin e Amerikës, doktor Patrick Jackson
Por pas zbulimit të rastit të parë me Omicron në SHBA, doktor Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, bëri thirrje për vaksinim të popullatës dhe mbrojti vendimin për kufizime ndaj udhëtimeve.
“Sigurisht që nuk mendoj se masat kufizuese për udhëtimet do të parandalojë njerëzit që janë të infektuar të vijnë në Shtetet e Bashkuara. Por nevojiten të fitojmë pak kohë për të qenë në gjendje të përgatitemi, që të kuptojmë se çfarë po ndodh, cila është natyra e këtij infeksioni, apo nëse është shumë ngjitës ose jo”, thotë Dr. Anthony Fauci.
Më shumë se tridhjetë vende kanë mbyllur kufijtë e tyre dhe më shumë kanë vendosur masa më të rrepta si përgjigje ndaj variantit “Omicron”. Ndërsa ekspertët përpiqen të mësojnë më shumë rreth tij, zyrtarët thonë se është e domosdoshme që edhe më shumë njerëz në mbarë botën, të vaksinohen./voa
Fraksion.com