Shmanget mbyllja e qeverisë amerikane
Senati miratoi të enjten një projektligj mbi shpenzimet që shmang një mbyllje të pjesshme dhe financon qeverinë federale deri më 18 shkurt, pasi udhëheqësit e dy partive zbutën tensionet rreth vaksinimit të detyrueshëm. Projektligji pritet të nënshkruhet nga presidenti Joe Biden.
Më herët gjatë ditës, udhëheqësit e kongresit njoftuan se arritën një marrëveshje për të mbajtur qeverinë funksionale për 11 javë të tjera, kryesisht në nivelet aktuale të shpenzimeve, ndërsa shtuan 7 miliardë dollarë për të ndihmuar të evakuuarit nga Afganistani.
PASSED: H.R. 6119, Continuing Resolution.
By a vote of 69-28.
— U.S. Senate Majority Floor Updates (@DSenFloor) December 3, 2021
“Më vjen mirë që në fund mbizotëruan ‘kokat më të ftohta’. Qeveria do të qëndrojë e hapur dhe falënderoj anëtarët e kësaj dhome që na larguan nga pragu i një mbylljeje të shmangshme, të panevojshme dhe të kushtueshme,” tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.
Senati e miratoi projektligjin me 69 vota për, ndërsa kundër ishin 28.
Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët e miratoi projektligjin me 221 vota kundrejt 212 sa ishin kundër. Udhëheqja republikane u bëri thirrje ligjvënësve të votojnë kundër. Vota e vetme republikane në mbështetje të projektligjit ishte ajo e përfaqësuesit nga Illinoi, Adam Kinzinger.
Projektligji u miratua një ditë para afatit të së premtes duke shmangur mbylljen e zyrave federale.
Mospajtimet rreth buxhetit kanë çuar shpesh në mbyllje të kushtueshme të qeverisë gjatë dy dekadave të fundit/voa
Fraksion.com