Kremlini: Vladimir Putini do t’i kërkojë garanci Presidentit Biden për Ukrainën
Kremlini tha të premten se Presidenti Vladimir Putin do të kërkojë garanci gjatë një telefonate të planifikuar me Presidentin amerikan Joe Biden, se Ukraina nuk do të përfshihet në procesin e zgjerimit të NATO-s. Ndërkohë, ministri ukrainas i mbrojtjes paralajmëroi se Rusia mund ta pushtojë vendin e tij muajin e ardhshëm.
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë rritur gjatë javëve të fundit. Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate perëndimore janë gjithnjë e më të shqetësuara se rritja e pranisë së forcave ushtarake ruse pranë kufirit ukrainas mund të sinjalizojë synimin e Moskës për ta pushtuar Ukrainën. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Kremlinin se do të vendosin sanksionet më të ashpra të mundshme nëse zhvillohet një sulm, ndërsa Rusia ka paralajmëruar se çdo prani e forcave apo armatimeve të NATO-s në territorin ukrainas do të shkelte “vijën e kuqe”.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, u tha ligjvënësve të premten se numri i forcave ruse pranë Ukrainës dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia, vlerësohet të jetë në 94.300. Zoti Reznikov paralajmëroi se një “përshkallëzim në shkallë të gjerë” mund të ndodhë në janar.
Ndërsa tensionet po rriten, këshilltari për punët e jashtme i presidentit rus, Yuri Ushakov, u tha gazetarëve të premten se po përgatitet zhvillimi i një telefonate mes Presidentit rus Putin dhe Presidentit amerikan Biden gjatë ditëve në vazhdim, dhe se data e saktë do të njoftohet pasi Moska dhe Uashingtoni të kenë rënë dakort për detajet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua të enjten në Stokholm me homologun e tij rus Sergey Lavrov, për të kërkuar që Rusia të tërheqë forcat e saj nga kufiri me Ukrainën. Zoti Lavrov u kundërpërgjigj se Perëndimi “po luan me zjarrin”, duke mos marrë parasysh qëndrimin e Rusisë për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s me vende të ish-Bashkimit Sovjetik.
Ukraina ka kërkuar t’i bashkohet NATO-s, e cila ka ruajtur mundësinë e anëtarësimit, por nuk ka përcaktuar një periudhë kohore për këtë.
Zoti Ushakov tha se gjatë telefonatës me Presidentin Biden, zoti Putin do të parashtrojë kërkesën për një dokument që do të përjashtonte ndonjë zgjerim të mëtejshëm të NATO-s drejt lindjes. Rusia dëshiron një marrëveshje ligjore që “do të përjashtonte çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s drejt lindjes, si dhe dislokimin e sistemeve të armatimit me rrezik për ne, në territorin e vendeve fqinje, përfshirë Ukrainën”, tha ai.
Ndihmësi i Kremlinit tha se në fillimet e viteve 1990, udhëheqësit sovjetikë dhe rusë morën garanci verbale nga udhëheqësit perëndimorë se NATO nuk do të zgjerohej drejt lindjes, por se Perëndimi u tërhoq nga këto premtime në vitet në vazhdim kur NATO-s iu bashkuan vende të ish-bllokut sovjetik dhe ish-republika sovjetike.
Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të jenë të angazhuara në konflikt, pasi Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështeti rebelimin e separatistëve në zemrën industriale të lindjes, rajonin e njohur me emrin Donbas. Mbi 14 mijë njerëz kanë vdekur gjatë luftimeve.
Ministri ukrainas i mbrojtjes paralajmëroi të premten se përshkallëzimi “është një skenar i mundshëm, por jo i sigurt, dhe detyra jonë është ta shmangim”.
“Shërbimi ynë i zbulimit analizon të gjithë skenarët, përfshirë ata më të këqij”, tha zoti Reznikov. “Koha më e mundshme kur (Rusia) do të jetë gati për përshkallëzim është fundi i janarit”.
Konstantin Kosachev, zëvëndës kryetar i dhomës së lartë të parlamentit rus, konfirmoi mohimin e Moskës se po shqyrton mundësinë e një sulmi.
“Nuk kemi plane për të sulmuar Ukrainën. Nuk kemi ndonjë aktivitet të shtuar ushtarak pranë kufijve të Ukrainës. Nuk po bëhen përgatitje për një ofensivë”, tha zoti Kosachev për kanalin shtetëror rus “Russia-24”.
Kremlini ka shprehur shqetësimin se Ukraina mund të përdorë forcën për të rifituar kontrollin mbi pjesën lindore që mbahet nga rebelët. Duke i shtuar tensionet më tej, kreu i një republike të vetëshpallur separatiste dhe të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës tha të enjten se mund t’i drejtohej Moskës për ndihmë ushtarake, nëse rajoni përballej me një sulm ukrainas.
Ministri ukrainas Reznikov tha se Ukraina nuk do të ndërmerrte veprime për të provokuar Rusinë, por se është e përgatitur për t’iu përgjigjur një sulmi të mundshëm. “Ukraina është shumë e interesuar për një zgjidhje politike dhe diplomatike”, tha ministri ukrainas i mbrojtjes./voa
Fraksion.com