Arrestohet gruaja në Shkodër, burri në kërkim: Banesa ‘shtëpi bari’
Sekuestrohen 139 kg kanabis në Shkodër, ndërsa në pranga ka rënë një 42-vjeçare.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Jeran”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, u arrestua Mariana Vuksanaj, banuese në fshatin Jeran, si dhe është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj, Gjovalin Vuksanaj, 55 vjeç.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 139 kg lëndë bimore e dyshuar kanabisi, 132 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo, 63 llamba elektrike, baza të tjera materiale që shërbenin për kultivimin e kanabisit nëpërmjet llambave elektrike dhe 1 automjet.
Gjithashtu, gjatë operacionit, në këtë banesë është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike.”
Fraksion.com