Zbulohet rasti i parë me variantin Omicron në SHBA
Në Kaliforni, një person i vaksinuar për COVID-19, u bë i pari në Shteteve të Bashkuara i diagnostikuar me variantin Omicron. Lajmi u njoftua nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën.
Doktor Anthony Fauci u tha gazetarëve se personi i diagnostikuar me Omicron kishte qenë në Afrikën e Jugut dhe ishte kthyer në SHBA më 22 nëntor. Ai rezultoi pozitiv më 29 nëntor. Zoti Fauci tha se personi ishte vaksinuar, por nuk kishte marrë një dozë përforcuese dhe se po përjetonte “simptoma të lehta” të sëmundjes.
Në fund të muajit të kaluar administrata Biden mori vendim të kufizojë udhëtimet nga Afrika e Jugut, ku u identifikua për herë të parë varianti i ri i COVID-it. Raste me Omicron janë identifikuar gjithashtu në më shumë se 20 vende të tjera të botës.
“Ne e dinim se ishte vetëm çështje kohe përpara se rasti i parë me Omicron të zbulohej në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Fauci.
Ai tha se personi i prekur po e merrte veten dhe shtoi se “ky është një shembull tjetër se pse është e rëndësishme që njerëzit të vaksinohen”.
Zyrtarët amerikanë thanë se kishin kontaktuar me të gjithë ata që kishin patur kontakt të ngushtë me personin e infektuar me Omicron dhe se ata kishin rezultuar negativë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po ndërmarrin hapa për të forcuar rregullat e testimit në SHBA për udhëtarët që vijnë nga jashtë, përfshirë një dëshmi se janë testuar negativ brenda harkut të 24 orëve nga hipja në aeroplan, pavarësisht nga statusi i tyre i vaksinimit. Gjithashtu po shqyrtohet mundësia e testimit me detyrim edhe pas mbërritjes në SHBA.
Zyrtarët thanë se këto masa do t’u sigurojnë kohë për të mësuar më shumë rreth variantit të ri dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura, por ata shtuan se futja e Omicron-it në SHBA ishte e pashmangshme.
Ka ende shumë pikëpyetje që lidhen me variantin e ri të COVID-it: nëse ai është më ngjitës se variantet e mëparshme, nëse ata që infektohen sëmuren më rëndë apo nëse vaksinat janë apo jo efektive ndaj tij. Dr. Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, tha se pas dy deri në katër javë do të dihet më shumë rreth Omicron-it falë testeve laboratorike mbi virusin.
Fraksion.com