Sulmi në shkollë në Miçigan: Katër akuza për vrasje ndaj adoleshentit
Të mërkurën prokurorët e Miçiganit ngritën akuza për vrasje ndaj personit që dyshohet se qëndron pas incidentin të rëndë me armë zjarri në një shkollë të këtij shteti. Ndërkohë autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar se çfarë e nxiti sulmin me armë ku si pasojë u vranë katër nxënës dhe shtatë persona të tjerë u plagosën.
Sipas prokurorës së Qarkut Oakland Karen McDonald ndaj autorit të dyshuar të sulmit me armë, Ethan Crumbley, një 15-vjeçar, i cili studionte në vitin e dytë të një shkolle të mesme në Oksford të Miçiganit, rreth 65 kilometra në veri të Detroidit, janë ngritur një sërë akuzash penale.
“Ishte absolutisht (një akt) i paramenduar“, tha ajo.
Ethan Crumbley, i cili do të gjykohet si i rritur, përballet me një akuzë për terrorizëm me pasojë vdekjen, katër akuza për vrasje të shkallës së parë, shtatë akuza për sulm me synimin për të vrarë dhe 12 akuza për posedim të një arme zjarri në kryerjen e një krimi.
“Ka shumë mundësi që shumë shpejt të ketë akuza të reja shtesë“, tha zonja McDonald.
Autoritetet thanë se i dyshuari hapi zjarr të martën në shkollën e mesme Oksford, me një arme që babai i tij kishte blerë katër ditë më parë.
Tre nga studentët, Tate Myre, 16 vjeç, Hanna St. Jualian, 14 vjeç dhe Madisyn Baldwin 17, humbën jetën të martën ndërsa Justin Shilling, 17 vjeç vdiq të mërkurën.
Një mësues dhe gjashtë nxënës të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve vazhdojnë të jenë në gjendje kritike, thanë autoritetet.
Kjo është ngjarja më e rëndë që ka prekur këtë vit shkollat amerikane, sipas Education Week. Ajo është me e fundit në një varg incidentesh vdekjeprurëse me armë zjarri që kanë përfshirë shkollat e vendit prej disa dekadash. Incidenti ka të ngjarë të nxisë debate rreth kontrollit të armëve dhe mbi kujdesin që i kushtohet shëndetit mendor.
Fraksion.com