AktualitetPolitikëTë fundit

“Nuk jam me asnjërin, por kuvendi i Lulit është qesharak”, Dashamir Shehi flet pa dorashka

Deputeti i LZHK-së Dashamir Shehi ka folur në lidhje me situatën në Partinë Demokratike dhe luftën Basha-Berisha.

Shehi tha se nuk mbështet askënd në këtë parti, por deklaroi se Sali Berisha gëzon mbështetje absolute nga demokratët. Sa i përket Lulzim Bashës, Shehi tha se po organizon një Kuvend “qesharak dhe pa vlerë” në datën 18 dhjetor. Shehi deklaroi se Basha duhet të ishte dorëhequr.

“Unë nuk jam me asnjërin. Nuk ka të drejtë asnjëri. Historia e ndryshimit në opozitën shqiptare, modernizimit të opozitës, nuk them se kam të vërtetën absolute, por pas kaq vitesh, me gjithëmend duhet të bëhet një revolucion por esencial, të mos qarkullojmë gomat bosh.

A ka të drejtë Berisha? Brenda asaj që po bën, ka edhe të drejtë. Berisha mbledh simpatizantët e vetë që janë shumë, është e kotë ta mohojmë. Ka qenë në pushtet, ka përfaqësuar fitimtarin, shefin e PD, atë që ka shpërndarë edhe interesa më shumë.

Ka shumë armë Berisha për këtë punë. Ka karizmën e vetë personale. Përtej këtyre, ka edhe ata që nuk pëlqejnë Lulin, që janë bërë shumicë absolute. Me gjithëmend Luli i meriton kundërshtarët, sepse ka tetë vjet që humb, dreq e shejtan! Puna është tezat që nxjerr për të justifikuar humbjen. I vuri kapakun me këtë Kongresin qesharak,  një gjë bosh pa asnjë vlerë. Kjo i jep të drejtën Berishës të bëjë dhe të thotë këto gjëra.

Berisha aty ka qenë, nuk ka të drejtën, por moralisht i takon. Përse? Përderisa ti nuk je i zoti të prodhosh fitore, i lind e drejta me mijëra njerëzve të reagojnë. Ato numrat që janë mbledhur janë të vërteta.

Luli bën gabim që këmbëngul që ka falsifikuar firmat Berisha. Në Foltore ka marrëzira, por jo numrat, Berisha ka mbështetje. A ka të drejtën Berisha? Këtë e cakton kohë, as Berisha dhe as ne. Koha është gjykatësi i vetëm”, tha Shehi.

 

Fraksion.com