Kim: SHBA e angazhuar, e ardhmja e Shqipërisë në Evropë
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim u shpreh sot se, “shqiptarët e kuptojnë shumë mirë se e ardhmja e tyre është në Evropë dhe e ardhmja e tyre do të ndërtohet në partneritet me SHBA-në”.
Në një intervistë për Qendrën Marshall, ambasadorja Kim foli mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në aspektin strategjik euroatlantik.
“Ballkani Perëndimor është ajo copa e madhe e territorit që ka mbetur për t’u zgjidhur në Evropë. Siç e dini, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe Muri i Berlinit u rrëzua, ne u angazhuam për një Evropë të lirë dhe në paqe, dhe për ta arritur këtë, ne duhet të rregullojmë Ballkanin Perëndimor. Pra ju po shihni një angazhim më të fortë se kurrë nga ana e SHBA për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen me njëri-tjetrin dhe SHBA do të vazhdojnë t’i inkurajojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Evropë, qoftë kjo nëpërmjet anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Kim.
Ambasadorja Kim u shpreh se shqiptarët e kuptojnë shumë mirë se e ardhmja e tyre është në Evropë dhe e ardhmja e tyre do të ndërtohet në partneritet me SHBA-në.
“Ballkani Perëndimor nuk është i ri për nocionin e konkurrencës strategjike dhe konkurrencës për influencë dhe ne të gjithë e dimë, edhe dikush me njohuri të cekëta të historisë botërore ka dijeni së herën e fundit rivaliteti për pushtet në Ballkan prodhoi një luftë botërore dhe ju mund të thoni që prodhoi dy luftëra botërorë, gjithsesi mendoj se vendet e Ballkanit Perëndimor janë familjarizuar shumë mirë me rolin të tyre dhe pasojat që vijnë nga konkurrenca për influencë. Sa për Shqipërinë, ajo është shumë e qartë se kush janë miqtë dhe armiqtë e saj. Rusia dhe Kina kanë shumë pak tërheqje në Shqipëri dhe mendoj se shqiptarët kanë pasur eksperiencat e tyre me këto dy vende dhe e kuptojnë shumë mirë se e ardhmja e tyre është në Evropë dhe e ardhmja e tyre do të ndërtohet në partneritet me SHBA-në”, tha Kim.
Duke folur për tre prioritete të rëndësishme në Shqipëri, ambasadorja Kim u ndal te mbrojtja, demokracia dhe biznesi.
“Arsyeja që e artikuloj në këtë mënyrë është sepse ato janë të ndërlidhura. Sa herë që flasim për demokracinë, biseda fokusohet të shteti i së drejtës, gjykata të pastra dhe Reforma në Drejtësi, fundi i pandëshkueshmërisë dhe lufta kundër korrupsionit. Pika e dytë është mbrojtja. Ne duam që aleati ynë që është anëtar i NATO-s të jetë në gjendje të kryejë detyrat e veta në Aleancë, duam një aleat të fortë dhe të sigurt, i cili është i aftë të mbrojë vetveten dhe të kontribuojë në mbrojtjen e të gjithë aleatëve. Së treti, biznesi. Nuk ka asnjë arsye mbi tokë pse Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë një vend i varfër. Ka njerëz të talentuar. Ka një pozicion gjeografik jashtëzakonisht strategjik dhe shumë burime natyrore. Mendoj se nëse do të gjendej një mënyrë për të nxjerrë në pah talentin e njerëzve, do të ishte një vend të paktën me të ardhura mesatare dhe sa herë bisedon me qytetarë shqiptarë të thonë se pengesa më e madhe është korrupsioni”, tha Kim.
Ambasadorja u shpreh se “ndaj dhe ne jemi fokusuar kaq shumë tek demokracia, tek shteti i së drejtës, kështu që do të ecim përpara me këto tri çështje”.
“Shumë shpejt do shihni një vend të drejtë, më të fortë dhe më të pasur për pjesën më të madhe të shqiptarëve”, shtoi ajo.
Fraksion.com