Ish-presidenti i Afganistanit: Talebanët janë vëllezërit e mi, kam pasur diskutime të frytshme me to
Ish-presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i ka cilësuar talebanët si “vëllezërit e tij”.
Në një intervistë të dhënë për BBC, ai ka shtuar se takimet e fundit me to i ka cilësuar si shumë produktive e të frytshme.
“Unë i shoh talebanët shumë si vëllezër dhe të gjithë afganët po ashtu”, tha ai për BBC në një intervistë ekskluzive.
Karzai ka deklaruar se gjatë kohës së tij në detyrë, ai do t’i quante talebanët vëllezër të tij dhe “ishte pikërisht me të njëjtin qëllim në mendje që unë i quajta ashtu”.
“Ky është vendi ynë, ky vend na përket neve, kështu që ne jemi bijtë e dheut, ndaj nuk duhet të largohemi. Duhet të qëndrojmë këtu, për ta bërë vendin më të mirë. Dhe t’ua kërkoja të gjithë atyre afganëve që u larguan (nga vendi) të kthehen dhe ta ndërtojnë këtë vend”, ka thënë ai.
Ai theksoi se ka nevojë që procesi politik të formojë një qeveri gjithëpërfshirëse në vendin e shkatërruar nga lufta, e cila duhet të jetë e pranueshme për të gjithë afganët.
“Se ky është vendi juaj… ta ndërtojmë së bashku; le të punojmë së bashku… Kam pasur takime me ta (talebanët), shkëmbimet kanë qenë shumë të mira për shumë çështje”, yheksoi Karzai.
Gazetarja e BBC-së, Yalda Hakim, e pyeti gjithashtu Karzain se kur vajzat dhe gratë do të mund të kthehen në arsim dhe punë. Ai tha se kishte pasur biseda për këtë dhe se talebanët kanë rënë dakord që të kthehen.
“Dilni dhe studioni, jini të guximshëm..ne do të sigurohemi që ju të studioni dhe kjo do të ndodhë”, tha ai në një mesazh për vajzat e reja që kanë ngecur në shtëpi dhe nuk mund të ndjekin shkollën.
Fraksion.com