AktualitetBota+Të fundit

Irani pasuron uranium pavarësisht negociatave për paktin bërthamor

Irani ka nisur të pasurojë uranium me centrifuga më të avancuara, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, duke ngritur shqetësime për negociatorët në ditën e tretë të negociatave që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 që Irani ka nënshkruar me fuqitë botëore.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara ka thënë më 1 dhjetor se Irani ka nisur procesin e pasurimit të uraniumit deri në 20 për qind, me pajisje më të avancuara në një fabrikë afër fshatit Fordou.

Në raportin e kësaj organizate është thënë se inspektorët kanë vizituar këtë kompleks më 30 nëntor dhe kanë raportuar se ka nisur procesi i pasurimit të uraniumit.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka thënë se tani planifikon ta inspektojë më shpesh atë fabrikë.

“Agjencia ka vendosur dhe Irani është pajtuar për të shtuar vizitat për verifikim të situatës në Fordou dhe do të vazhdojnë konsultimet me Iranin rreth këtyre aktiviteteve”, është thënë në raport.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Iranit nuk i lejohet të pasurojë uranium në Fordou.

Mirëpo, delegacioni i përhershëm i Iranit në selinë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike në Vjenë, ka hedhur poshtë raportin, duke thënë në rrjetin social, Twitter se vizita e fundit ka qenë “përditësim në përputhje me verifikimin e rregullt në Iran”.

Irani e ka konfirmuar se është duke pasuruar uranium në shkallë prej 20 për qind në Fordou. Mohammed-Resa Ghalebi, drejtor ekzekutiv i misionit të Iranit në selinë e agjencisë në Vjenë, ka thënë se shteti i tij është duke prodhuar heksaflorid për qëllime paqësore.

Ky lajm pritet të ndikojë edhe më shumë në marrëveshjen bërthamore pavarësisht se janë duke u zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet Iranit dhe Britanisë, Francës, Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë, me qëllim të ringjalljes së atij pakti në Vjenë.

Shtetet e Bashkuara janë duke marrë pjesë në bisedime në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, pasi Irani refuzon të takohet me të dërguarit amerikanë.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka larguar SHBA-në nga kjo marrëveshje më 2018 dhe ka rikthyer sanksionet e ashpra ndaj Iranit.

Përfaqësuesit perëndimorë shqetësohen se Irani është duke i marrë këto vendime për të fituar ndikim në bisedime dhe shefi i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi, e ka bërë të qartë se i sheh këto zhvillime me shqetësim.

“Kjo gjë e dyfishon alarmin. Nuk është banale. Irani mund ta bëjë këtë gjë, mirëpo kur ka ambicie të tilla, duhet t’i pranoni inspektimet. Është e domosdoshme”, ka thënë Grossi për transmetuesin francez, France 24.

Bisedimet jo të drejtpërdrejta ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit – me negociatorë tjerë të përfshirë mes tyre – nuk kanë shënuar përparim prej kur kanë rinisur më 29 nëntor.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 parasheh heqjen e sanksioneve për Iranin në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor.

Mirëpo, Irani ka nisur të shkelë marrëveshjen prej kur Trump ka larguar SHBA-në nga marrëveshja më 2018.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do t’i rikthehet marrëveshjes nëse Irani e zbaton paktin në tërësi.

Teherani, në anën tjetër, dëshiron që Uashingtoni të bëjë hapin e parë./rel

 

Fraksion.com