AktualitetBota+NATO/BETë fundit

A mund t’i kundërvihet Kinës “Porta Globale” e BE-së?

Bashkimi Evropian do të investojë rreth 300 miliardë euro në infrastrukturë dhe projekte të tjera, në kuadër të nismës “Porta Globale”.

Sipërmarrja e re e bllokut 27-anëtarësh shihet si konkurrencë ndaj nismës së ngjashme kineze, Brezi dhe Rruga (BRI).

Dokumenti i Komisionit Evropian, i publikuar më 1 dhjetor, përshkruan planet e Brukselit “për të forcuar rrjetet digjitale, të transportit dhe energjisë” në botë, si dhe për të investuar në “projekte që mund të realizohen me standarde të larta, qeverisje të mirë dhe transparencë”.

Nisma synon të mobilizojë një shumë prej 300 miliardë eurosh, që do të investohen deri në vitin 2027.

Nisma do të fokusohet në ndërtimin e projekteve të tilla si kabllot me fibra optike, korridoret e transportit dhe “linjat e pastra të transmetimit të energjisë”, që, siç thuhet, do të ofrojnë “investime tërheqëse dhe kushte të volitshme për biznesin, konvergjencë rregullatore [standardizim], integrim të zinxhirit të furnizimeve dhe shërbime financiare”.

Planet e BE-së vijnë në kohën kur shumë shtete perëndimore janë duke bërë përpjekje që të luajnë rol më të madh në financimin e infrastrukturës në botën në zhvillim dhe, në këtë mënyrë, të zmbrapsin nismën BRI.

BRI, prejse është lancuar në vitin 2013, është bërë një mjet i rëndësishëm i Pekinit për të zgjeruar ndikimin e tij.

Nën maskën e BRI-së, Kina ka kanalizuar qindra miliarda dollarë në infrastrukturën e huaj – nga Amerika Latine deri në Afrikë dhe Azinë Qendrore.

Planet e BE-së nuk e përmendin me emër BRI-në, projektin që mban nënshkrimin e presidentin kinez, Xi Jinping.

Megjithatë, Porta Globale është përshtatur si një program alternativ, i cili, siç thuhet në dokument, do të fokusohet në financime “të bazuara në vlera” dhe do të mbështetet në konkurrencë të drejtë dhe të hapur.

“Porta Globale do të investojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe do të demonstrojë sesi vlerat demokratike ofrojnë siguri dhe drejtësi, qëndrueshmëri për partnerët dhe përfitime afatgjata për njerëzit në mbarë botën”, thuhet në dokument.

Përgjigje ndaj BRI-së

I nisur me bujë të madhe nga Xi, BRI është mbështetur nga organizata ndërkombëtare dhe më shumë se 150 vende – përfshirë shumë në Perëndim. BRI investon në porte, tubacione, teknologji digjitale, kujdes shëndetësor dhe energji të gjelbër.

“Brukseli po përpiqet të diferencohet nga ajo që ofron Kina”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jonathan Hillman, drejtor i Projektit të Rilidhjes së Azisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

“Kur bëhet fjalë për çështje mjedisore, transparencë dhe qëndrueshmëri, BE-ja ka një markë të fortë dhe tërheqëse, të cilën mund ta shfrytëzojë”, thotë Hillman.

BRI, viteve të fundit, është përballur me shumë pyetje për vlerën komerciale dhe transparencën e projekteve të tij. Kjo ka rritur shqetësimet se iniciativa është mjet për shtrirjen e kontrollit kinez.

Projektet e mbështetura nga Pekini në Hungari kanë hasur në reagime publike, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe mungesë transparence në detajet e huamarrjes.

Këto projekte përfshijnë një universitet kinez në Budapest, i financuar nga një hua prej 1.5 miliard dollarësh, dhe një hekurudhë që lidh Budapestin me Beogradin, e financuar me 1.9 miliard dollarë hua.

Në Ballkan, projektet kineze janë kritikuar për dëmtimin e mjedisit dhe praktika të dobëta pune. Disa, të tilla si një autostradë në Mal të Zi, kanë shkaktuar probleme rreth borxhit të dhënë nga Kina.

Plani i BE-së synon gjithashtu që të fokusohet në investime në fushat e digjitalizimit, shëndetit, klimës, energjisë dhe transportit.

“BRI ka rritur rreziqet dhe i ka bërë politikëbërësit perëndimorë më të vetëdijshëm për pasojat strategjike të mospërfshirjes në infrastrukturë”, thotë Hillman.

“Pekini, përmes gabimeve të veta, ka krijuar gjithashtu mundësi për alternativa më cilësore. Është e vështirë të imagjinohet ekzistenca e Portës Globale nëse nuk do të ishte BRI”, shton ai.

Plani evropian synon të përafrohet edhe me planet e tjera të infrastrukturës, të miratuara në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G7, në Mbretërinë e Bashkuar, në qershor.

Por, pengesa më e madhe do të jetë mënyra sesi Brukseli dhe partnerët e tij mund t’i përdorin muskujt financiarë për t’iu bërë rivalë Pekinit në investimet në infrastrukturë, thotë për Radion Evropa e Lirë Andreea Brinza, nënkryetare e Institutit rumun për Studimin e Azi-Paqësorit (RISAP).

“Pengesa më e madhe mund të jetë kostoja e zbatimit të projekteve [me standarde të larta]”, thotë ajo.

“Vendet në zhvillim kanë nevojë vërtet për infrastrukturë, por nëse është shumë e shtrenjtë, ato nuk mund ta përballojnë atë”, shton Brinza.

Shtetet e Bashkuara, Evropa, Japonia dhe të tjerat e kanë kaluar shumë më tepër Kinën, për sa u përket financimeve në vitet e fundit, pasi ritmi i investimeve përmes BRI-së është ngadalësuar qëkur ka arritur kulmin në vitin 2017.

“Sfida më e madhe e BE-së do të jetë gjetja e kombinimit të përsosur të infrastrukturës cilësore dhe çmimeve të përballueshme”, thotë Brinza./REL

 

Fraksion.com