Balluku në Rrugën e Arbrit: Hapur për qarkullim më 29 nëntor
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku inspektoi pasditen e sotme punimet në Rrugën e Arbrit, një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në vendin tonë, që hapet në 29 nëntor.
E shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe përfaqësues të kompanisë që kanë punuar në këtë vepër, Balluku tha se “aktualisht po punohet për detajet e fundit në prag të hapjes për qarkullimin e automjeteve të këtij aksi, i cili afron verilindjen e vendit me kryeqytetin”.
Ministrja solli në vëmendje detaje të një pune të madhe që është kryer në këtë vepër inxhinerike komplekse.
“Është e rëndësishme që e hapim këtë rrugë përpara afatit kontraktual, që është pranvera e vitit 2022″ tha Balluku, teksa vuri në dukje se,”hapja e këtij aksi do të lehtësojë qarkullimin në sezonin e dimrit, për të gjithë zonën verilindore”.
Balluku bëri apel, se rruga është ende në kushtet e kantierit dhe duhet shumë kujdes nga përdoruesit e mjeteve, që të respektojnë vijat e verdha. Ndonëse tha ministrja, rruga do të jetë e monitoruar nga Policia e Shtetit për respektimin e sigurisë rrugore.
Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km. Me një gjatësi rreth 74 km, ajo do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim.
Balluku tha se, “punimet në këtë aks nuk kanë qenë të lehta madje për të devijuar tunelin e Murrizit, ku janë shfaqur probleme gjeologjike të shtresave të tokës, kompania ka bërë një bypass shtesë 8.8 km pa kosto shtesë”.
“Ndonëse për ditët me reshje dëbore, ky bypass do të mbyllet dhe qarkullimi do të vijojë në rrugën ekzistuese”, tha ministrja.
Rruga me standardet më të larta, është pajisur me sinjalistikën e nevojshme dhe parametrat e sigurisë rrugore.
Ky investim i strategjik, jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.
Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.
Fraksion.com