Ballkanasit udhëtojnë me autobusë më të vjetër se 18 vjet; Shqipëria dhe Kosobva më të vjetër
Në shtetet e rajonit voziten autobusë që janë më të vjetër se 18 vjet. Anadolu Agency (AA) ka analizuar të dhënat statistikore të enteve shtetërore të statistikave të vendeve të rajonit, të dhënat e ministrive dhe shoqatave të vozitësve.
Të dhënat e mbledhura tregojnë se Sllovenia dhe Kroacia kanë autobusë mesatarisht më të rinj, ndërsa Kosova dhe Shqipëria kanë autobusët mesatarisht më të vjetër.
Në Maqedoninë e Veriut autobusët janë më të vjetër se 18 vjet
Në Maqedoninë e Veriut, autobusët mesatarisht janë të vjetër 18,2 vjet, thonë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Në këtë rast, 81,2 për qind të automjeteve me të cilat bëhet transport i udhëtarëve janë më të vjetër se 10 vjet. Vitin e kaluar në vend u regjistruan 2.612 autobusë që bënin transport të udhëtarëve në transportin brenda qytetit, transportin ndërmjet qyteteve dhe transportin ndërkombëtar.
Autobusët më të vjetër se 18 vjet edhe në Serbi
Edhe në Serbi voziten autobusë më të vjetër se 18 vjet të cilët transportojnë udhëtarë. Mesatarisht, autobusët që voziten në këtë shtet janë më të vjetër se 20 vjet, thonë të dhënat e shoqatës për transport rrugor “Srbijastarost”. Ekspertët për siguri në Serbi vlerësojnë se me ritmin e tanishëm të porosive të automjeteve të reja, ato do të mund të ndërroheshin në tërësi madje pas 100 vjetëve.
Shumica e autobusëve në Kosovë janë prodhuar në vitin 1999
Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë tregojnë se shumica e autobusëve që shfrytëzohen për transport të udhëtarëve në vend janë të vjetër 22 vjet, respektivisht janë prodhuar në vitin 1999. Në rrugët e Kosovës voziten 167 autobusë të vjetër 22 vjet, ndërsa 166 autobusë janë prodhuar në vitin 2000.
Në Mal të Zi udhëtarë transporton edhe një autobus i vjetër 40 vjet
Nga 1.490 autobusë të regjistruar në Mal të Zi, mbi 22 për qind e tyre janë më të vjetër se 20 vjet, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të Malit të Zi (MONSTAT). Ekziston edhe një autobus i regjistruar viti i të cilit është në kategorinë “deri në vitin 1979”, respektivisht është më i vjetër se 40 vjet.
Situata me automjetet që shfrytëzohen për transport të udhëtarëve nuk është më e mirë as në Bosnje e Hercegovinë. Mesatarisht, autobusët për transport të udhëtarëve janë më të vjetër se 18 vjet.
Në Shqipëri bëhen përpjekje për futje në përdorim të autobusëve të rinj
Në Shqipëri qytetarët kanë udhëtuar me autobusë mesatarisht të vjetër 22 vjet. Këtë e shfaqin të dhënat e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë, të publikuara në vitin 2016. Por, në Shqipëri atëherë hyri në fuqi ligji i ri për transport mes qyteteve, sipas së cilit kompanitë duhet të ndryshojnë autobusët çdo 5 vjet. Në ndërkohë, institucionet nuk publikuan të dhëna për atë se sa janë të vjetër mesatarisht autobusët që shfrytëzohen për transport të udhëtarëve në komunikacionin ndërmjet qyteteve. Nga ana tjetër, autobusët që shfrytëzohen për transport brenda kryeqytetit, Tiranës, janë mesatarisht të vjetër rreth 10 vjet.
Kroacia dhe Sllovenia me autobusë më të rinj për transport të udhëtarëve
Në Kroaci dhe Slloveni, dy shtetet e vetme nga ish-Jugosllavia që janë anëtare të Bashkimit Evropian (BE), përdoren autobusë mesatarisht shumë më të rinj në krahasim me vendet tjera.
Qendra e Automjeteve në Kroaci ka përllogaritur se automjetet me të cilat transportohen udhëtarët janë mesatarisht të vjetër 11,5 vjet.
Në rajon, megjithatë, Sllovenia mund të krenohet me autobusët më të rinj për transport të udhëtarëve. Banorët e Sllovenisë transportohen me autobusë mesatarisht të vjetër 10,8 vjet, tregojnë të dhënat e “Statista”.
Në vendet e BE-së, autobusët janë mesatarisht të vjetër 11,4 vjet./AA
Fraksion.com