AktualitetBota+Të fundit

Rreth 600 migrantë do të kthehen nga Bjellorusia në Irak

Rreth 600 irakianë të bllokuar për disa javë në zonën kufitare mes Bjellorusisë dhe Polonisë, pritet të kthehen në shtëpitë e tyre më 26 nëntor, ka thënë Qeveria irakiane dhe zyrtarët në rajonin autonom kurd.

Qindra irakianë, shumica prej tyre kurdë, janë kthyer në shtëpitë e tyre një javë më parë nga Bjellorusia, përmes fluturimit të parë për riatdhesimin e tyre.

Aktualisht në Bjellorusi janë mijëra migrantë që janë duke qëndruar nëpër kampe pavarësisht temperaturave të ulëta.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme irakiane, Ahmed al-Sahaf, ka thënë se 617 qytetarë do të kthehen vullnetarisht në Irak me dy fluturime nga Minsku, ka raportuar një agjenci e lajmeve irakiane më 25 nëntor.

Të dy aeroplanët pritet të aterojnë në Irbil, kryeqytetin e rajonit të kurdëve.

Brukseli ka akuzuar Bjellorusinë se po tenton të destabilizojë Bashkimin Evropian, duke marrë mijëra burra, gra dhe fëmijë nga Lindja dhe Mesme, dhe duke i shtyrë më pas drejt kufijve të BE-së, përmes Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë.

Veprimet e Minskut janë parë si hakmarrje për sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj regjimit të Alyaksandr Lukashenkas, pas shtypjes brutale të opozitës, e cila beson se lideri autoritar ka manipuluar zgjedhjet e mbajtura në gusht të vitit të kaluar.

Brukseli po ashtu ka akuzuar Minskun për “qasje të stilit të bandave” ndaj krizës në kufi, ku të paktën 11 migrantë kanë vdekur në muajt e fundit.

Në përgjigje të krizës, Polonia ka angazhuar forca shtesë në kufi për të parandaluar hyrjen e migrantëve, veprime që janë kritikuar ashpër nga grupet ndërkombëtare për të drejta të njeriut./REL

 

Fraksion.com