AktualitetPolitikëTë fundit

Rindërtimi, Thumana e shndërruar në vigjilje të përvjetorit të tërmetit

Lagjja e re në Thumanë, vepër e programit madhor të Rindërtimit, shumë shpejt do të jetë gati të mirëpresë banorët, shtëpitë e të cilëve u rrënuan më 26 nëntor të dy viteve më parë.

Janë 178 apartamente të përfunduara dhe 158 njësi individuale, ndërkohë që kantieri ende i hapur, pritet të përfundojë brenda pak ditësh. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Thumanë, së bashku me zv.kryeministrin dhe ministrin e Rindërtimit dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, jo vetëm për të përkujtuar, por edhe për të dhënë lajmin e mirë se “janë 433 familje që rikthehen në banesa të reja me kushte fantastike”.

E projektuar sipas standardeve më bashkëkohore të ndërtimit, lagja e re është njëkohësisht zgjidhja për të gjitha problemet e trashëguara nga 3 dekadat e ndërtimit kaotik në Shqipëri. “Kantieri i Thumanës është për çështje ditësh në përfundim. Janë 178 apartamente të përfunduara. Në anë e majtë, por pak më larg nga pallatet janë 158 njësi individuale. Brenda 178 apartamenteve është dhe fondacioni Behgjet Pacollit me 18 apartamente dhe ndërkohë fondacionin ‘Firdeus’ me 158 shtëpi individuale. Përballë kemi dhe ndërtesat e njësisë administrative që i përkasin bashkisë së Krujës. Pra është një kompleks i tërë me të gjitha llojet e ndërtesave dhe të institucioneve”, u shpreh ministri i Rindërtimit Ahmetaj, gjatë inspektimit të zonës së rindërtuar.

Ndërsa, Kryeministri Rama në përfundim të inspektimit, u shpreh për të pranishmit se në vigjiljen e afërt të një përvjetori jashtëzakonisht dramatik të tërmetit të 2 viteve më parë, “dëshirova të isha këtu, bashkë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Rindërtimit, por dhe me bacën Behgjet dhe me të gjithë ju për të falënderuar në radhë të parë, të gjithë ata që e bënë të mundur këtë rilindje shembullore të kësaj zone që ishte dhe zemra e fatkeqësisë”.

“Më vjen mirë që, ndërkohë filloi edhe shiu, që uroj të paralajmërojë bereqet për të gjitha këto familje të lënduara dhe dua të falënderoj nga zemra kompaninë dhe kompanitë e përfshira, dua të falënderoj nga zemra bacën Behgjet dhe kompaninë e tij, dua të falënderoj nga zemra Elvis Naçin, Ilir Hoxhollin dhe kompaninë e tyre, sepse këtu në Thumanë ishte vendi i duhur që ta mishëronim në mure të qëndrueshme dhe në një hapësirë komunitare shumë herë më dinjitoze se sa ajo që ishte kur u godit nga tërmeti, atë solidaritet që u shfaq në ditët e para nga të gjithë shqiptarët dhe kjo është një vepër e duarve të lidhura dhe e forcave të bashkuara të njerëzve nga rrugë të ndryshme të jetës, e qeverisë, e fondacionit “Shqiptarët për Shqiptarët” i Behgjet Pacollit, që është institucion më vete, ku janë vendosur në dispozicion të gjitha fondet e nevojshme. Faktikisht në 2-3 ditët në vijim, menjëherë pas përvjetorit të dytë, njerëzit do të fillojnë të hyjnë, fillimisht në apartamentet këtu pas meje dhe pastaj në shtëpitë individuale me ambicien dhe dëshirën që në prag të Krishtlindjeve, ne të rikthehemi për një festë të madhe këtu së bashku me të gjithë dhe të ndezim edhe pemën e ullirit të paqes e të begatisë që do të vendoset mu në majë fare të asaj ngrehine të së shkuarës, cisternës së famshme, që do të kthehet në një simbol të kësaj lagjeje, në një simbol të kujtesës, në një simbol të shpresës”, tha Rama.

“Janë 433 familje që rikthehen në kushte fantastike dhe siç po i thoja Bacës Behgjet, këto pallate këtu janë pallate që i takojnë standardit të lartë të atyre pallateve dhe apartamenteve që blihen nga ata më të kamurit në Tiranë, ndërkohë që janë për ata që në 95 % të tyre do ta kishin të pamundur të blinin apartamente të tilla dhe janë falas, që do të thotë, nuk kanë asnjë barrë të asnjë lloj detyrimi financiar, por kanë vetëm një barrë, ta mirëmbajnë këtë mjedis kaq të bukur, të kujdesen për të. E ndërkohë, Bashkia e Krujës do të vazhdojë me ne, edhe një si të thuash punë në disa detaje të vogla, për t’i dhënë më shumë akoma hapësirë fëmijëve më të vegjël në këto hapësira të gjelbra dhe atyre më të moshuarve, gjë që besoj do të materializohet përfundimisht dhe në 1 qershorin e ardhshëm, në festën e fëmijëve”, theksoi ai.

“Ndërkohë që, më kujtohet një debat që kam bërë me disa djem të rinj, 2-3 ditë mbas fatkeqësisë aty ku ishin vendosur çadrat në të vetmen fushë sporti që kishte Thumana, që ndërkohë që të tjerët qanin hallin e çatisë, ata djemtë qanin hallin e futbollit e u thashë që mos kini asnjë dyshim që do bëjmë jo një, por do bëjmë disa fusha. Natyrisht që më panë me mosbesim dhe më përshëndetën dhe me dy gishta dhe shpresoj shumë që tani të jenë të kënaqur me gjithë këto fusha sporti”, vijoi Rama.

E ndërkohë, Rama theksoi se kjo punë nuk mbaron këtu.

“Ne duam që Thumana të bëhet një destinacion dhe për të tjerë që të vijnë gjatë fundjavave. Këtu kemi një liqen fantastik që do ta adresojmë si një aset për një turizëm të brendshëm të fundjavës dhe pa diskutim që do kishte shumë familje që do donin të vinin këtu e t’i argëtonin fëmijët në gjithë këto hapësira që faktikisht nuk i kanë shumë lagje dhe mes të Tiranës, por dhe në mes të qyteteve të mëdha dhe po ashtu së bashku me Drejtorinë Arsimore do të bëjmë të mundur krijimin e disa hapësirave passhkollore, jo vetëm sportive, por dhe për artet, për zejet, për teknologjinë, në disa prej mjediseve të kateve të para që do të jenë në dispozicion të bashkisë së Krujës, ku do të organizojmë kurse, në mënyrë që fëmijët e Thumanës të kenë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre dhe një pjesë prej tyre të mund të hyjnë dhe në tregun global të teknologjisë, siç ndodh faktikisht sot me fëmijë që janë ende në shkollë dhe punojnë në distancë për tregje të tjera”, tha ai.

“Ajo që doja të shtoja është se ky proces ka qenë në fakt besoj unë, një histori suksesi e kthimit të një krize të madhe në një mundësi të madhe. Janë angazhuar 400 kompani që nga kompanitë e projektimit, deri tek kompanitë e ndërtimit. Janë angazhuar 27 000 forca pune, kjo për t’i thënë të gjithë atyre që thonë që nuk ka punë e kanë ikur të gjithë, që në fakt janë 27 mijë familje që janë ushqyer edhe falë rindërtimit. Janë përfshirë në këtë proces të gjitha forcat projektuese, zbatuese, ndërtuese të vendit. Janë realizuar projekte me çmime rekord, falë konkurrencës që është garantuar për të gjithë dhe faktikisht nuk ka asnjë kompani që ka marrë pjesë e që mund të ankohet se është lënë jashtë, përkundrazi, por ama i jam shumë mirënjohës kompanive dhe dua t’i falënderoj dhe një herë, si quheni ju, pronarë apo sipërmarrësit, sepse e kanë bërë këtë punë pa hile. Mbase nuk kanë fituar aq sa do fitonin po të bënin hile, por i kanë dhënë vetes një kredi që kur të paraqiten në botën tjetër tek Shën Pjetri, t’i thonë që “po, i kemi bërë këto mëkate se Zoti thonë që i di të gjitha, por kemi bërë dhe jo pak për ta larë shpirtin, atje në Thumanë, ku kemi punuar pa hile e nuk kemi fituar siç jemi mësuar të fitojmë”, theksoi Kryeministri Rama.

“Tjetra është që të gjithë këto 27 000 forca pune janë paguar mirë dhe kanë pasur të gjitha sigurimet ashtu siç duhet, shoqërore dhe shëndetësore, që është një tjetër gjë e rëndësishme për t’u thënë. Patjetër që ne kemi bërë detyrën, sepse e di shumë mirë që ndërkohë që unë flas, aty në facebook-un tim nga ata që thonë “hë se detyrën kemi bërë, hë se nuk i keni bërë me lekët tuaja, hë se lekët e popullit janë”, disa shkruajnë që këto nuk janë falas, se i paguan populli. Tani, qeveritë që në kohën kur është formuar ideja e parë e shtetit, për të bërë detyrën janë, nuk janë për të bërë vezë të kuqe. Janë për të bërë detyrën, nuk janë për të bërë magjira. Janë për të administruar të ardhurat që mblidhen nga kontributet e qytetarëve dhe dallimin mes qeverive nuk e bën fakti se kush i bën me lekët e veta e kush i bën me lekët e popullit, se kjo nuk ekziston, por e bën fakti që sa mirë ose sa keq administrohen të ardhurat, e sa të ardhurat që mblidhen nga kontributet e njerëzve kthehen përsëri tek njerëzit”, vijoi ai.

“Unë jam shumë krenar që ne kemi bërë një program rindërtimi që është shembullor në të gjitha aspektet, është super i shpejtë në të gjitha aspektet dhe është i vetmi program, të paktën në dijeninë tonë, nga sa kemi krahasuar me vendet rreth e rrotull, dhe ku atyre që janë prekur nuk u kërkohet asnjë kontribut financiar dhe nuk i ngarkohet asnjë lloj kredie, por përkundrazi, i marrin shtëpitë falas. Ne, nuk mund të vendosnim dhe detyrime financiare, kredi sado të buta, për familje që u dërrmuan aq keq sa u dërrmuan.

Jam shumë krenar që, siç thashë, shumica e këtyre familjeve që kanë marrë dhe do vazhdojnë të marrin këto shtëpi, janë familje që përndryshe nuk do mundeshin kurrë t’ia dilnin. Ashtu sikundër, është bërë dhe një plus, pasi kudo ku të dëmtuarit në një kulm kanë qenë më shumë se 1 kurorë, përfitojnë aq apartamente apo shtëpi individuale saç kanë kurora. Në këtë rast, lehtësojmë dhe vjehrra dhe nuse nga të qëndruarit në të njëjtin kulm, dhe duke i dhënë mundësinë të duhen më shumë, duke qenë secila nën kulmin e vet.

Përtej shakasë, që është gjithmonë gjysma e të vërtetës, dua të shtoj dhe faktin që në këtë proces, ne kemi pasur në mes një ndërhyrje shumë brutale nga pandemia. Duhet të kishim mbaruar më shpejt, por kemi pasur bllokime të proceseve dhe nëse e marrim shembullin e Turqisë, si një shembull shpejtësie, praktikisht këto lagje po mbarojnë në të njëjtën kohë me lagjen që po mbaron në Laç, ku është investuar drejtpërdrejt nga presidenti dhe Republika e Turqisë, dhe ku punon kompania e tyre.

Këtu, përsëri sqaroj, për të gjithë ata që thonë “Hë se i morët miliardat nga bota, ku vajtën”, bota, të gjitha ato që ka dhënë, i administron vetë. Pra, donacioni turk administrohet nga vetë Republika e Turqisë”, tha Rama.

“Tek ne kanë kaluar vetëm projektet dhe ne kemi qenë pjesë e këtyre proceseve vetëm për standardet e projekteve. Të gjitha të tjerat, garat, përcaktimi i kompanive dhe disbursimi i parave, është diçka që nuk e përfshin qeverinë shqiptare, qoftë kur është fjala për lagjen e ndërtuar në Laç, qoftë për lagjen që ka filluar në Spitallë, me fondin e Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara, qoftë kur është fjala për shkollat, për atë pjesë shkollash që ndërtohen nga Bashkimi Europian, që kur është fjala për disa ndihma më të vogla, por shumë të vyera, dhe i falënderojmë të gjithë të kontribuuesit e shteteve për një shkollë, një kopsht, disa shtëpi. Të gjitha administrohen prej tyre. Asgjë nuk kalon përmes nesh, që të jemi të qartë dhe gjithçka ne kemi ndërtuar, është buxheti i shtetit shqiptar.

Ka disa filozofë të tjerë që thonë “Hë se këto bëhen me borxhe”. Unë nuk e di se si mund të bëhen ndryshe, por dua të them këtë. Nuk ka shtet pa borxhe. Kemi jetuar në një shtet që i kishte borxhet të ndaluara me Kushtetutë dhe e dimë si mbaroi historia.

Borxhet janë të dy natyrave, si për familjet, ka familje që zhyten në borxhe që nuk i shlyejnë dot më dhe nuk i jep më kush borxh, ka familje që marrin borxh për të bërë një investim për veten e tyre dhe e shlyejnë atë borxh me punën e tyre. E pra, Shqipëria sot i përket kësaj kategorie. Dikur, Shqipëria ishte në kushtet që nuk mund më të merrte borxh, sepse nuk i jepte kush borxh.

Sot, Shqipëria është në kushtet që sapo ka kaluar një sprovë në tregjet e kapitaleve dje, dhe ka dalë me një sukses kuptimplotë. Kemi emetuar një Eurobond dhe tregjet e kapitaleve kanë vlerësuar faktin që Shqipëria është mbi baza shumë të shëndetshme financiare dhe nuk është një shtëpi që rrezikon të falimentojë dhe është e pafinancueshme”, u shpreh Kryeministri Rama.

“Thënë të gjitha këto, kthehen aty ku e nisa: tek falenderimi për të gjithë. Faktikisht, ne duam dhe do t’ia dalim që shumica dërrmuese e atyre që janë ende në pritje të bëjnë “Gëzuar” në çatinë e re për Vitin e Ri dhe mbeten lagjet e mëdha. Lagjet e mëdha në Tiranë, ku do fillojnë të futen disa familje ndërkohë, lagjja e madhe e Spitallës në Durrës dhe disa pallate të veçanta me dëmtime të rënda, që është njësoj sikur të rindërtosh nga e para, që janë në proces.

Për gjithë këto familje, me buxhetin e ri të 2022, kemi vendosur 1 miliard lekë për të vazhduar t’u paguajmë qiranë. Pra, i mbajmë me qira. E mbani mend shumë mirë, vetëm dy ditë apo tri ditë pas tragjedisë i nxorëm njerëzit nga çadrat dhe i çuam nëpër hotele në bregdet dhe nga hotelet i çuam nëpër shtëpi me qira.

Ndërkohë sot, në Italinë fqinje, fuqia e pestë ekonomike e botës, ka ende njerëz nëpër rulota për tërmete që kanë ndodhur 12-15 vjet përpara.

Jo se dua këtu të them diçka që vendos, si të thuash, një krahasim negativ, në raport me miqtë dhe partnerët tanë italianë që kanë qenë nga kryesorët në mbështetje dhe falë mbështetjes së tyre po financojmë një projekt për Emergjencat Civile, po financojmë një projekt tjetër për stabilitetin në industrinë e peshkimit e me radhë, por dua thjesht të them që kur bëhen hesapet pa hanxhinë, dalim gjithmonë në konkluzionet e gabuara.

Kemi bërë atë që askush nuk e mendonte dhe ky është fakt. E kemi bërë, sepse kemi vendosur gjithçka: Kemi vendosur mendjen, zemrën, kohën, gjithçka për të mos lejuar që këta njerëz të harrohen siç janë harruar ndër vite.

Kush thotë të kundërtën, u them se 8 vite më parë, edhe një fond përmbytjesh, për njerëz që kishin humbur gjithçka nga një përmbytje, ishte aty i harruar dhe i papaguar. Ndërkohë, sot jemi këtu përpara një transformimi kolosal që ka ndodhur, duke e kthyer në një mundësi të re për komunitete të tëra, familje të tëra, atë që u ndodhi dhe sot, të gjitha këto familje kanë një pasuri shumë herë më të madhe se ajo që kishin.

Sot, cilido që hyn në një shtëpi të re, ka një kapital që as e kishte para tërmetit, as nuk e vinte dot në kushtet që ishte. Është një kapital i tërë, i kaluar tek mijëra familje dhe që do kalojë edhe në mijëra të tjera, duke filluar nga ky fundvit, që do t’i gjejë në shtëpi shumë prej atyre që nuk besonin e do gjenin më mundësi të hynin në shtëpi të re, e jo më në shtëpi me këto kushte.

Janë, e them me shumë krenari, lagje rezidenciale për ata që kanë më pak. Deri më sot, në një lagje rezidenciale si kjo që është këtu mbrapa, me shtëpitë individuale që është në Fushë-Krujë, apo në Bubq, apo në Manzë, apo si të tjera akoma në Ndroq, Valias, e kështu me radhë, hynin të pasurit.

Sot, falë këtij kontributi të përbashkët, hyjnë ata që nuk janë të pasur dhe që përndryshe nuk do kishin mundësi. Jam shumë krenar për këtë dhe jam shumë mirënjohës për të gjithë punëtorët, që nga punëtori më i thjeshtë, deri tek inxhinierët, supervizorët, projektuesit dhe pa diskutim, tek sipërmarrësit që të gjithë pa përjashtim kanë treguar në këtë proces që përtej natyrës financiare të aktivitetit të tyre dhe përtej fitimit të tyre, ka rëndësi dhe solidariteti.

Për atë pjesë që, në këto ndërtime të mrekullueshme, është solidaritet dhe nuk është thjesht fitim, ata meritojnë realisht një mirënjohje që patjetër, kur të ketë mbaruar gjithçka, do t’ua shprehim edhe zyrtarisht në një ceremoni të veçantë”, përfundoi Rama.

Duke marrë fjalën në këtë takim, kreu i Aleancës “Kosova e Re” Behgjet Pacolli, që ka kontribuar në rindërtimin e një prej pallateve në këtë zonë, tha se, “unë nuk kam mbështetur asnjë parti politike, por kam mbështetur idetë e mira, qytetarin e Shqipërisë që kanë qenë ata që kanë paguar më shumë nga tërmeti i 2019”.

Pacolli theksoi se, “kam mbështetur idenë e Kryeministrit pas një bisede të shkurtër që pata me të. Pashë që dëshira e tij ishte tepër e madhe, unë nuk kam mundur të bëj gjë tjetër dhe kam kërkuar këshilla dhe ndihmën e familjarëve të mi për të kontribuar. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë veprim shumë humanitar”.

“Sot jam shumë krenar që jam pjesë i këtij eventi dhe jam i qetë shpirtërisht, se edhe unë kam bërë diçka për familjet e dëmtuara nga tërmeti. U priftë e mbara gjithmonë dhe ju ndjefsha mirë gjithmonë!”, deklaroi ai.

 

Fraksion.com