AktualitetRajoniTë fundit

Politika gjermane ndaj Ballkanit në të ardhmen: Dora e gjelbër

Drafti i marrëveshjes së koalicionit që pritet të qeverisë Gjermaninë në katër vitet e ardhshme përmban disa risi sa i përket Ballkanit Perëndimor. Qeveria e re pritet të jetë më e zëshme kundër autokratëve.    

Asnjë marrëveshje koaliconi e mëparshme në historinë e Gjermanisë nuk e ka pasur Ballkanin Perëndimor kaq në fokus sa koalicioni që pritet të krijojë socialdemokrati Olaf Scholz, me liberalët dhe të gjelbrit. Kjo shihet nga paragrafi i shkurtër, por konkret që i kushtohet rajonit në dokumentin e prezantuar këtë të mërkurë në Berlin.

Nëse në marrëveshjet e mëparshme, pasazhi i zgjerimit të BE-së fillonte me kërkesën që në politikat e zgjerimit të kishte “shqyrtime rigoroze, e jo ngutje”, në marrëveshjen aktuale mbizotëron një gjuhë pozitive.

“Ne e mbështesim procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës. Në këtë kuadër, forcojmë shoqërinë civile dhe mbështesim fazat e tjera të paraanëtarësimit”, thuhet në marrëveshje.

Për herë të parë përmenden në tekst të gjashta shtetet e rajonit

Përmendja e prioriteteve për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor është gjithashtu një risi në historinë e koaliconeve gjermane. Në marrëveshejet e mëparshme, Ballkani Perëndimor, ose përmendej vetëm si rajon me perspektivë evropiane ose nuk përmendej fare.

“Hapi vijues është çelja e kapitujve të parë të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet vendosur liberalizimi i vizave me Kosovën dhe të vazhdohen negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë”, thuhet në marrëveshjen e prezantuar të mërkurën pasdite në Berlin.

Dora e të gjelbërve

Bodo Weber, analist i pavarur nga Berlini, thotë se në këtë tekst ndiehet dukshëm ndikimi i partisë Aleanca 90/Të Gjelbërt, që është paraparë të drejtojë ministrinë e punëve të jashtme. “Teksti i marrëveshjes së koaliconit për Ballkanin Perëndimor, është thuajse i njëjti me pasazhin përkatës në programin elektoral”, konstaton Weber. Ministrja e jashtme e Gjermanisë pritet të jetë Analenna Baerbock, ish-kandidatja e të gjelbërve për kancelare.

Johanna Deimel, analiste e pavarur nga Mynihu, i tha DW, se fakti që vendet e Ballkanit trajtohen secili më vete flet për rëndësinë që i jep koalicioni i ri këtij rajoni: “Kjo është me të vërtetë një pikë shumë e rëndësishme. Me këtë koalicioni i ri dëshmon se e konsideron rajonin e Ballkanit Perëndimor me rëndësi strategjike dhe pjesë integrale të procesit të bashkimit të Evropës.”

Puna bindëse me Francën

Qeveria e re pritet të jetë më e zëshme në BE për Ballkanin Perëndimor.  Por Weber thotë se një nga sfidat e saj për të realizuar këtë program ambicioz do të jetë të bindë bllokuesit e deritanishëm të procesit të zgjerimit, sidomos presidentin francez Macron. “Edhe pse kohët e fundit është dukur sikur procesi është penguar nga Bullgaria, tekefundit ishte pasiviteti i Francës, ai që e favorizoi veton e Bullgarisë”, thotë Weber. Ai shpjegon se shkak ishte edhe një farë rivaliteti ndërmjet presidentit Macron dhe kancelares Merkel.

Rivaliteti i fshehur mes Francës dhe Gjermanisë është bërë shkak për bllokimin e procesit të zgjerimit, thotë Bodo Weber. Macron dhe Merkel në Belrin, me rastin e samitit të Ballkanit Perëndimor, prill 2019.

“Koaliconi i ri ka më shumë pika të përbashkëta me Macronin, se sa kishte qeveria e kancelars Merkel”, thotë Weber.

Më zëshëm kundër autokracive

Ndërsa politika e kancelares Merkel në Ballkanin Perëndimor shumë shpesh dukej se favorizonte pushtetarët autorkatë, Weber dhe Deimel parashikojnë se në të ardhmen qeveria e re do të jetë më e zëshme ndaj shkeljeve të lirisë së medias, abuzimeve me pushtetin në favor të krijimit të strukturave autokratike.”Kjo vihet re edhe në paragrafë të tjerë të marrëveshjes së koalicionit, ku i jepet rëndësi sundimit të ligjit dhe paqes, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, thotë Deimel për DW.

Deimel e quan politikën e deritanishme të kancelares Merkel në rajon, sidomos kundrejt Serbisë, si “mbrojtëse të stabilokracisë”. “Kancelarja Merkel e ndihmoi presidentin Aleksandër Vuçiç ta çonte vendin e tij drejt një autokracie. Ajo gjithmonë qëndroi në anë e tij, edhe kur mijëra demonstrues në Serbi dolën në rrugë për javë të tëra për të drejtat themelore demokratike, por nuk dëgjuan  asnjë fjalë mbështetëse nga qeveria në Berlin.”

Deimel  shpreson që tani do të marrë fund koha e fotografive miqësore me pushtetarët autokratë dhe se qeveria e ardhshme do t’i japë shumë më tepër mbështetje shoqërisë civile: “Shoqëria civile, sindikatat dhe kisha përmenden në mënyrë eksplicite. Fondacionet politike gjermane aktive në rajon janë duke u forcuar, ato janë një forum i rëndësishëm për shoqërinë civile dhe dialogun partiako-politik midis Gjermanisë dhe vendeve të rajonit. Në të njëjtën kohë, aktorët “e lidhur me qeverinë” nuk duhet të marrin më kaq lehtësisht mbështetje financiare, ndër të tjera, kjo vlen për institucione dhe njerëz që janë të përfshirë në kapjen e shtetit”, argumenton analistja.

Përmirësimi i kapacitetit pranues

Megjithë këtë qëndrim aktiv për të shtyrë përpara  procesin e zgjerimit, një fjali është pak irrituese sepse duket sikur ka mbetur nga marrëveshjet e mëparshme.

“Paralelisht me negociatat e anëtarësimit, BE duhet të përmirësojë kapacitetin e tij pranues”, thuhet në marrëveshjen për qeverinë e ardhshme gjermane.

Weber shikon këtu më shumë një “koncesion gjuhësor” ndaj liberalëve. Kjo parti, në legjislaturën e mëparshme, kur Bundestagu votoi për çeljen e negociatave, dha “po” për Maqedoninë e Veriut dhe “jo” për Shqipërinë. Weber megjithatë parashikon se liberalët nuk do të luajnë ndonjë rol aktiv në politikën ndaj Ballkanit Perëndimor.

Deimel e lexon këtë fjali pak me shqetësim. Do të ishte fatale, nëse kjo fjali do të jepte sinjalin se procesi i zgjerimit mund të zvarritet edhe më tej, thotë Deimel. Ajo shpreson, që me këtë fjali qeveria e re zotohet se do të angazhohet për të gjetur zgjidhje më kreative për të evituar procese frenuese si vetoja e Francës, Holandës ose e Bullgarisë. “Një nga mundësitë është heqja e kushtit të vendimmarjes unanime”, thotë Deimel.

Lipset rol udhëheqës i Gjermanisë 

Një risi në këtë marrëveshje është zotimi për të ruajtur integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.

“Ne mbështesim dialogun e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përpjekjet për paqe të qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë, bazuar në ruajtjen e integritetit territorial dhe tejkalimin e ndasive etnike”, thuhet në marrëveshje.

Engjellushe Morina, analiste pranë Këshillit Evropian për Politikë të Jashtme, dega e Berlinit, e vlerëson shumë këtë zotim. Por ajo kujton se rajonit as më parë nuk i ka munguar mbështetja e Gjermanisë. Morina kërkon “rol udhëheqës” të Gjermanisë si në dialogun Kosovë-Serbi, ashtu edhe një angazhim më të madh të Gjermanisë për ta larguar ndikimin rus nga rajoni.

“Ajo që duhet të ndodhë në realitet është që këto angazhime, siç janë hedhur në letër të ndiqen realisht me një qasje reale politike ndaj rajonit – ndryshimi i qasjes është shumë i nevojshëm pasi situata në rajon është përkeqësuar në shumë mënyra, por kryesisht për shkak të mungesës së lidershipit të qartë të BE-së, e cila u ka hapur rrugën aktorëve të tjerë”, thotë Morina për DW.

Edhe Weber mendon se duhet patjetër një ristartim i dialogut Serbi-Kosovë. “Por për këtë nevojitet një perspektivë e besueshme e anëtarësimit në BE, ndryshe BE-ja nuk ka mjete trysnie ndaj Serbisë”, thotë ai.

Por sado sfiduese që mund të jenë synimet e qeverisë së re në Ballkan, për analistët e lidhur me Ballkanin Perëndimor ato janë njëkohësisht një ftesë për pjesëmarrje: “Mua të gjitha këto elemente më duken shumë novatore dhe motivuese. Kemi shumë punë për para – Të përveshim mëngët!, thotë Johanna Deimel./DW

 

Fraksion.com