AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Fermerët protestë para Kuvendit, kundërshtojnë paketën fiskale, Rama merr një përfaqësi të tyre në sallë

Kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim në Kuvend një përfaqësi të fermerëve që ishin duke protestuar.

Rama u ndal tek fermerët dhe kërkoi që një pjesë e tyre të shkonin dhe të flisnin me të në një nga sallat e Kuvendit.

“Hajde, kush do vijë me mua të flasë brenda, se këtu në rrugë nuk flitet. Hajde, kush do vijë tjetër? Hajde! Edhe ai që ngriti dy gishtat. S’ka problem të gjithë bashkë se kjo nuk është punë demokratësh”, iu tha Rama fermerëve, të cilët kanë pranuar ftesën dhe kanë shkuar pas kryeministrit.

Fermerët thanë më herët për mediat se asnjë prej përfaqësuesve të qeverisë nuk i kishte pritur në takim që ti dëgjonte shqetësimet e tyre.

Ata thanë se kostot e plehrave dhe farave janë rritur ndjeshëm, që ka vështirësuar aktivitetin e tyre në të paktën 4 vitet e fundit.

“Nuk kemi ardhur këtu për të luftuar me ata, ministrja thotë gënjeshtra, kujt do t’i flasim ne, nuk duam luftë ne, duam paqe, ne punojmë për të ushqyer këtë popullsi. Kemi 4 vite që ne po vuajmë, nuk e di pse, shesim lirë dhe blejmë shtrenjtë. Fushat po shteren, po mbeten hugaret bosh, ne duam uljen e çmimit të plehrave. Ka shkuar një kuital ure 100 mijë lekë”, thanë më herët fermerët.

 

Fraksion.com