AktualitetRajoniTë fundit

Varhelyi: Bosnja rrezikon të humbasë fondet e BE-së

Bosnja dhe Hercegovina rrezikon të humbasë një miliard e gjysmë euro investime në infrastrukturë, paralajmëroi Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi të mirë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Gjatë një vizite në Sarajevë të mërkurën( 24 nëntor) ai tha se BeH duhet të ketë institucione funksionale.

“Jemi ende në pritje të vendimeve të caktuara që do të sigurojnë investime të konsiderueshme. Përndryshe, ekziston rreziku që këto investime infrastrukturore (nga BE-ja) të humbasin”, tha Varhelyi pas takimit me përfaqësues të BeH.

Më herët, edhe anëtari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq ka thënë që Varhelyi theksoi se duhet të ndalet bllokada e punës së institucioneve në BeH.

“Konsideroj që kjo është e mundshme me pak vullnet politik dhe gatishmëri që të respektohet parimi i sundimit të ligjit, respektivisht të merrni pjesë në institucione dhe të merrni vendime në institucione të BeH-së, sepse kurrfarë bisedash për këtë jashtë institucioneve të BeH nuk vijnë në shprehje” tha Xhaferoviq.

Në anën tjetër Varhelyi në Twitter shkroi se BeH tani ka një rast unik që duhet ta shfrytëzojë.

“Bosnje e Hercegovina nuk ka kohë për të humbur, as lidhur me reforma që duhet kryer lidhur me 14 prioritetet kryesore e as më Planin Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, shkroi ai.

Varhelyi shtoi se “Komisioni Evropian do të vazhdojë të përkrahë përpjekjet e BeH në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme në ballafaqim me sfidën e migrimit”.

Po ashtu në postimin e tij në Twitter, ai tha se me ministren e Sigurisë së BeH, Selma Cikotiq në Sarajevë foli për zgjidhje rreth çështjeve që ndërlidhen me emigrim, sikurse azili, mbrojtja efikase e kufijve dhe kthimi i refugjatëve.

Komisari Evropian për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim, Varhelyi po ashtu bisedoi edhe me kryesuesin e Këshillit të Ministrave të BeH, Zoran Tegeltija, ministrin e Financave dhe Thesarit, Vjekoslav Bevanda dhe ministren Cikotiq për situatën aktuale politike e ekonomike në Bosnje, rajon si dhe procesin e integrimeve evropiane.

Varhelyi do të qëndrojë në Sarajevë edhe të enjten më 25 nëntor.

Bllokada në institucionet boshnjake është duke vazhduar që nga fundi i korrikut pasi që Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko imponoi ndryshimet në Ligjin Penal për ndalimin e mohimit të gjenocidit në Bosnje, për të cilën arsyeje përfaqësuesit e Republikës Serbe po e bojkotojnë punën.

 

Fraksion.com