AktualitetPolitikëTë fundit

Rudina Hajdari i thotë jo Berishës dhe Bashës: Ja kur rikthehem në PD

Rudina Hajdari është e prerë në përgjigjen e saj kur thotë se nuk do të rikthehet në Partinë Demokratike, për sa kohë kryetar i saj është Lulzim Basha.

“Nuk bëhem pjesë e Partisë Demokratike deri në momentin që të bindem që kryetari apo kushdo që të jetë në krye të partisë nuk më inspiron dhe nuk më jep dëshirën që të punoj me të. Deri në atë moment unë nuk mendoj që do të merrem dot”, iu përgjigj Hajdari pyetjes së gazetarit Denis Dyrnjaja në “Top Talk”.

Ish-deputetja demokrate foli për situatën aktuale në Partinë më të madhe opozitare, ku po zhvillohet një betejë e ashpër mes kryedemokratit Basha dhe ish-kryetarit Sali Berisha.

PD-ja, sipas Hajdarit po mbahet peng nga këta dy politikanë dhe ka nevojë për një reformim të thellë.

“Janë të njëjtët njerëz që kanë bërë përjashtime, kanë përjashtuar njerëz nga partia dhe janë sjellë në mënyrën si janë sjellë. Të gjithë i dimë këto situata. Nuk kemi nevojë tani të shikojmë pikëpamjen historike. Në momentin që çdokush ka dalë kundër kryetarit, është përzënë. Tani po ndodh rëndom, por ka ndodhur edhe gjatë kohës kur kryetar ishte Berisha.
Ndaj, si mund të besohet që mund të ketë hapje të Partisë Demokratike nëse janë po të njëjtët kryetarë që kanë bërë po të njëjtën sjellje. Sot, PD nuk duhet të mbahet peng nga dy persona apo njerëz të tjerë që ne mund të gjejmë dhe mendoj se demokratët duhet të shkojnë përtej interesave të kryetarëve. Mendoj që PD-ja është më e rëndësishme se aq. Ka më shumë vlera se dy kryetarët e saj”.

Ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij kanë thirrur Kongresin Kombëtar në 11 dhjetor, ku do të kërkojnë shkarkimin e Bashës. Kryedemokrati iu përgjigj menjëherë kësaj lëvizjeje, duke thënë se në 11 dhjetor nuk do të ndodhë asgjë, por Kuvendi do të mblidhet në 18 dhjetor.

Pyetjes nëse do të marrë pjesë në Kuvend, Hajdari nuk iu përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejt, por tha se “nëse bëhet kongresi, ajo që duhet të kërkojmë është reformimi i PD-së së vërtetë”.

Ndërsa për vullnetin e Berishës për t’u rikthyer sërish në krye të së djathtës, ish-deputetja tha se “nuk ka çfarë të japë më”.

“Berisha ka qenë në krye të asaj partie për një kohë shumë të gjatë dhe i ka dhënë shumë partisë dhe vendit. Nuk ka çfarë të japë më shumë. Ai me gabimet e veta ka marrë sa ka mundur nga kjo parti dhe nga Shqipëria. Ka qenë në poste shumë të rëndësishme”, shtoi Hajdari.

 

Fraksion.com