Presidenca cakton datën, ja kur hidhet shorti për anëtarët e KED
Presidenca ka njoftuar se më datë 3 dhjetor 2021, në orën 11:00 do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksionojnë përgjatë vitit 2022.
Në njoftimin e Presidencës saktësohet më tej, të gjitha hapat që do të ndiqen në këtë proces.
NJOFTIM
Për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) që do të funksionojë përgjatë vitit 2022
PRESIDENTI I REPUBLIKËS ORGANIZON HEDHJEN E SHORTIT PËR ZGJEDHJEN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI (KED) NË DATË 3 DHJETOR 2021, ORA 11:00
Presidenti i Republikës, në mbështetje të:
nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
nenit 221 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar;
me Vendimin nr.419, datë 24.11.2021, ka vendosur që:
Ditën e premte, datë 3 dhjetor 2021, ora 11:00, në sallën “Skënderbej”, në Institucionin e Presidentit të Republikës, me adresë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1 Tiranë, do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2022.
Rregullat e hollësishme për hedhjen e shortit janë të miratuara me Vendim nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës, “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.
Në zbatim të nenit 221, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kanë dërguar në Institucionin e Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas këtyre organeve plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në shortin që do të hidhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Institucioni i Presidentit të Republikës, në zbatim të pikës 1 dhe 2 të ligjit nr. 115/2016, do të jetë në komunikim zyrtar të vazhdueshëm me institucionet respektive për administrimin e informacionit të azhornuar për të garantuar që, në momentin e hedhjes së shortit në datë 3 dhjetor 2021, ora 11:00, sipas ligjit, të përfshihen në short për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ata magjistratë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.
Institucioni i Presidentit të Republikës njofton publikisht dhe zyrtarisht Avokatin e Popullit, për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit.
Presidenti i Republikës fton Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit përmes një përfaqësuesi të caktuar prej tyre.
Procedura e hedhjes së shortit do të jetë publike dhe do të transmetohet live përmes mjeteve të informimit publik, medias televizive, medias on line etj.
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se ka parashikuar që, momenti i hedhjes së shortit të ketë mbulimin e nevojshëm mediatik, si dhe ka marrë të gjitha masat që ky proces t’i nënshtrohet plotësisht parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit, dhe të bëhet e mundur transmetimi e ndjekja live dhe në kohë reale, në mënyrë që ky proces i hedhjes së shortit të ndiqet drejtpërdrejtë nga të gjithë institucionet, subjektet e interesuara dhe publiku.
Në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës, në Rubrikën – HEDHJA E SHORTIT PËR KED – SHORTI KED 2022, do të gjeni të publikuara:
Vendim nr. 419, datë 24.11.2021 i Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksionojë përgjatë vitit 2022”
Listat paraprake të kandidatëve të dërguara nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë;
Rregullore për përcaktimin e procedurës për hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së, miratuar me Vendimin nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës;
Shënim: Duke vlerësuar transparencën si parimin themelor të veprimtarisë së Institucionit të Presidentit të Republikës, kjo rubrikë do të përditësohet në kohë reale me informacionin dhe dokumentacionin që Institucioni i Presidentit të Republikës, do të kërkojë apo do të administrojë në lidhje me të gjithë procesin.
https://president.al/hedhja-e-shortit-per-ked/
Fraksion.com