Albana Boksi do shqyrtojë çështjen ndaj Mediut në Gjykatën e Lartë
Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Albana Boksi, është zgjedhur për të shqyrtuar çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve” , me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Prokuroria e Posaçme kërkoi revokimin e vendimit të pushimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, por Gjykata e Lartë ia pasoi Gjykatës së Posaçme çështjen e tij, duke shpallur mos kompetencën për shqyrtimin e kërkesës.
Gjykata e Posaçme e shkallës së parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi Prokurorinë për mos ushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, ndërsa argumentoi se vepra penale për të cilën ai akuzohet është parashkruar.
Më pas ishte Gjykata e Posaçme e Apelit që vendosi pranimin e kërkesës së SPAK.
Mediu e kundërshtoi përmes avokatit të tij vendimin e Apelit të Posaçëm, duke pretenduar ‘cenim të parimit të sigurisë juridike dhe të parimit të gjësë së gjykuar”.
SPAK pritet të hetojë përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit 2008, ngjarje për të cilën Mediu është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar.
Fraksion.com