Putin ‘lëshoi’ trupat; Sa gjasa ka që Rusia të pushtojë Ukrainën?
Lëvizjet e trupave ruse pranë Ukrainës kanë rritur shqetësimin e Kievit dhe Shteteve të Bashkuara se mund të jetë duke planifikuar një sulm ndaj fqinjit të saj. Këto lëvizje ngrenë disa pyetje:
Ukraina mohon planifikimin e ndonjë ofensive të tillë dhe thotë se Rusia ka më shumë se 92,000 trupa të grumbulluara pranë kufijve të saj për një sulm të mundshëm.
SA GJASA KA TË NDODHË NJË PUSHTIM RUS?
Reuters foli me më shumë se një duzinë burime, duke përfshirë zyrtarë të inteligjencës perëndimore dhe rusë të njohur me mendimin e Kremlinit, dhe pothuajse të gjithë ranë dakord se një pushtim nuk ka gjasa të jetë i afërt.
Një skenar më i besueshëm, thanë ata, ishte se Presidenti Vladimir Putin po përdor kërcënimin e besueshëm të forcës ushtarake për të sinjalizuar se Rusia është serioze në mbrojtjen e “vijave të kuqe” të saj në Ukrainë.
Ajo ka deklaruar shumë herë në javët e fundit se nuk është e përgatitur të pranojë furnizimin e Ukrainës me armë të NATO-s apo ndonjë prani ushtarake të NATO-s atje, e lëre më perspektivën e anëtarësimit eventual të Ukrainës në aleancë.
Putini, shtuan këto burime, është i zoti në përshkallëzimin dhe zbutjen e krizave – siç bëri në pranverë, kur më shumë se 100,000 trupa ruse u mblodhën pranë kufirit të Ukrainës dhe më pas u tërhoqën.
Në këtë mënyrë, ai po i mban kundërshtarët e Rusisë të hamendësojnë për qëllimet e tij dhe po i kujton Perëndimit se Rusia është një forcë për t’u llogaritur.
NËSE DO NDODHË LUFTË, SI DO TË DUKET KJO?
Forcat e armatosura të Rusisë kanë 900,000 trupa aktivë krahasuar me 209,000 për Ukrainën, një avantazh prej më shumë se 4-fish, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).
Por Samir Puri, bashkëpunëtor i lartë në luftën hibride në IISS, tha se avantazhi i vërtetë për Rusinë ishte se ajo tashmë ka përfaqësues që luftojnë në luftën separatiste në Ukrainën lindore, duke i dhënë asaj mundësinë për t’u lidhur me ta dhe për të zgjeruar zonën tashmë nën kontrollin e tyre.
A ËSHTË E PËRGATITUR UKRAINA PËR T’U MBROJTUR?
Ukraina është dukshëm më e fortë ushtarakisht se në vitin 2014, kur humbi Krimenë ndaj Rusisë pa një luftë të vërtetë. Ajo ka raketa të avancuara antitank të furnizuara nga Uashingtoni dhe mund të mbështetet në inteligjencën amerikane. Por prapë do të përballej me një kundërshtar dërrmues – avantazhi rus në tanket e betejës, për shembull, është më shumë se tre me një.
“Për Ukrainën, çështja do të ishte … të rezistojnë sa më shumë që të munden, të luten për ndihmë nga Perëndimi dhe në fund të luftojnë,” tha Mathieu Boulegue, një studiues në institutin Chatham House të Londrës./Gazeta Shqip
Fraksion.com