Organizatat të shqetësuara për rritjen e dhunës ndaj grave
Organizatat dhe shoqatat e ndihmës në Gjermani kanë shprehur shqetësimin për rritjen e dhunës ndaj grave në partneritete.
Organizata katolike e ndimës Misereor ka kërkuar të luftohet më fort urrejtja kundër grave në internet. Ka nevojë për më shumë masa për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave. Bashkësia Katolike e Grave e Gjermanisë (Katholische Frauengemeinschaft Deutschland) dhe organizata të tjera kanë bërë thirrje për zbatimin me këmbëngulje të Konventës së Stambollit. Gratë me prejardhje emigrante, në veçanti, shpesh kanë nevojë për mbrojtje. Shoqata Gjermane e Gazetarëve bëri thirrje për një ndjeshmëri më të madhe në raportimin e dhunës ndaj grave.
Sipas statistikave të Zyrës Federale të Policisë Kriminale të paraqitura në Berlin, vitin e kaluar gati 140 gra dhe 30 burra u bënë viktima të dhunës vdekjeprurëse në familje. Sipas këtij raporti, çdo dy ditë e gjysmë një grua vritet nga partneri ose ish-partneri i saj. Në total, numri i rasteve të dhunës në çiftet ekzistuese ose të mëparshme është rritur me rreth pesë për qind nga një vit më parë.
Ministrja e Familjes, Christine Lambrecht theksoi se çdo orë mesatarisht 13 gra përjetojnë dhunë brenda martesës së tyre. “Ne nuk mund ta tolerojmë më këtë, duhet të jemi shumë të qartë në këtë pikë,” tha Lambrecht. Gjatë mbylljes për shkak të koronas vitin e kaluar, nuk kishte rritje të qartë të rasteve të regjistruara nga policia. Por supozohet se numri i rasteve të paregjistruara është i lartë.
Situata e bllokimit e vështirësoi ankesën për të interesuarit
Sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminale, rritje e veprave është vërejtur në muajt prill dhe maj, ndërsa numri i krimeve është ulur në nëntor dhe dhjetor.
Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Familjes, një nga arsyet mund të jetë situata e bllokimit që e vështirësoi ankesën për të interesuarit. Ndaj ka mundësi që shkalla e dhunës brenda çifteve të jetë rritur pa u kthyer deri tani në raste të regjistruara nga policia.
Sipas statistikave, 79 për qind e të dyshuarve ishin meshkuj dhe 80.5 për qind e viktimave ishin gra. Sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminale, dhuna në marrëdhëniet në çift përfshin krime të tilla si ngacmimi, përdhunimi, lëndimi trupor dhe vrasja./dw
Fraksion.com