AktualitetBota+Të fundit

Kryeministri francez rezulton pozitiv në COVID-19; Izolohet edhe kryeministri belg dhe 5 ministra

Zyra e kryeministrit francez Jean Castex informoi se kryeministri rezultoi pozitiv në koronavirusin e ri (COVID-19) pasi njëra nga vajzat e tij u infektua me virusin.

56-vjeçari Castex u shpall si rast kontakti pasi vajza e tij 11-vjeçare rezultoi pozitive. Kryeministri më herët gjatë ditës së djeshme ishte në Bruksel ku zhvilloi takim dypalësh me homologun e tij belg, Alexander De Croo, ndërsa më pas kishte një fjalim në lidhje me krizën në territorin francez në Karaibet, Guadeloupe.

Ai u bëri thirrje të vaksinohet të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar në ishull.

Zyra e tij njoftoi se ai tani është në izolim dhe po zhvillon mbledhjet e rëndësishme përmes video-konferencës. Kryeministri francez pranoi dy dozat e vaksinës në muajin prill.

Raportimi për infektimin e kryeministrit vjen pasi rritja e numrit të rasteve po trajtohet nga qeveria si fillimi i valës së pestë të virusit.

Zëdhënësi qeveritar të dielën tha se ka një rritje prej pothuajse 80 për qind të rasteve në një javë me mesatarisht 17.000 raste të regjistruara në ditë.

Shkollat në të paktën 61 departamente rajonale kanë bërë të obligueshme mbajtjen e maskave për nxënësit, duke marrë parasysh rritjen e numrit të rasteve.

Të paktën 10 ministra të kabinetit, duke përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, Gerald Darmanin; ministren e Mbrojtjes, Florence Parly; si dhe ministra të tjerë, tani po trajtohen si raste të kontaktit dhe do t’u kërkohet të bëjnë test PCR.

Gjithashtu, në karantinë janë edhe kryeministri belg De Croo dhe katër ministra të kabinetit të tij, të cilët ishin të pranishëm në takimin me kryeministrin francez.

 

Fraksion.com