U kap duke transportuar kokainë, shpallet i pafajshëm ish efektivi i RENEA-s; Fajin e merr përsipër…
Ish efektivi i RENEA-s, Xhulio Liçi është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës, për veprën e trafikimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike. Ai u arrestua së bashku me dy të tjerë Ded Nimani dhe Luan Gaçi, në momentin e transportit të 1 kg kokainë pas ditësh që ishin në vëzhgim.
Por gjykata ka vendosur ta lërë të lirë ish efektivin e RENEA-s Xhulio Liçi dhe Luan Gaçin pasi nuk kishte prova kundër tyre , ndërsa është dënuar me 4 vite e 8 muaj burg ndaj Ded Nimanit, i cili ka marrë përsipër trafikun e lëndës narkotike dhe se ish efektivi dhe personi tjetër nuk kishin dijeni për lëndën narkotike por çdo gjë ishte organizuar prej tij.
Xhulio Liçi, 28 vjeç nga Fieri, dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Ded Nimani, 62 vjeç i dënuar më parë për trafikim droge dhe kishte vetëm një vit që ishte liruar dhe Luan Gaçi, 43 vjeç u arrestuan më 14 maj 2021 pasi u kapën me 1 kg e 88 gramë kokainë.
Sipas policisë kokaina blihej nga 3 të arrestuarit në sasi 1-2 kg dhe më pas shitej në zona të ndryshme të Tiranës. Arrestimi i tij erdhi pasi SHÇBA kishte marrë informacion për veprimtarinë e paligjshme të efektivit të RENEA-s dhe prej ditësh kishte lajmëruar strukturat përkatëse dhe ishin nën mbikëqyrje të tij. Ai është arrestuar në flagrancë së bashku me 2 trafikantët e drogës, në momentin që po transportonin kokainë.
Si ndodhi arrestimi?
Në orën 11:12 në aksin rrugor Tiranë-Durrës në rrugën e vjetër në Ndroq, në ambientet e jashtme të një lokali, policia gjeti të parkuar automjetin Benz me targa AA463TO që drejtohej nga Luan Gaçi dhe më pas afrohet një mjet tjetër tip po Benz me targa AB 892 BZ, me drejtues efektivin Xhuljo Liçi dhe pasagjer ishte Ded Nimani. Liçi e Nimani dalin nga automjeti duke shkuar tek bagazhi i makinës së tyre dhe ndërkohë u afrohet edhe Luan Gaçi. Pasi hap bagazhin e makinës me të cilën po udhëtonte, efektivi i RENEA-s Xhulio Liçi nxjerr një pako në formë drejtkëndore e mbështjellë me plastmas transparent që ishte Kokainë mbi të cilën shkruhej BARON. Në momentin që ndërhyn policia, Liçi rrëzon nga dora kokainën, e cila bie në tokë.
Fraksion.com