AktualitetPolitikëTë fundit

Rinovohet marrëveshja për ripranimin e personave nga Britania e Madhe

Komisioni i Sigurisë Kombëtare shqyrtoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”.

I pranishëm në Komision ishte zv.ministri i Brendshëm, Andi Mahila, i cili u shpreh se, “të vendosur për të forcuar bashkëpunimin, me qëllim për të luftuar emigracionin në mënyrë efektive. Duke dëshiruar të zbatojmë me anë të kësaj marrëveshjeje dhe mbi bazën e reciprocitetit procedura të shpejta dhe të efektshme për identifikimin dhe kthimin e sigurtë dhe të rregullt të personave të cilët nuk i përmbushin më tej kushtet për të hyrë, për të qëndruar, ose për të banuar në territoret e Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Si dhe për të lehtësuar kalimin transit të këtyre personave në një frymë bashkëpunimi. Kjo marrëveshje nuk parashikon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë, e Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, të cilat burojnë nga e drejta ndërkombëtare dhe në veçanti nga Konventa Evropiane e 4 nëntorit 1950 për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, nga Konventa e 28 korrikut 1951 dhe Protokolli i 31 janarit 1967 për statusin e refugjatëve dhe nga instrumentet ndërkombëtare për ekstradim, Këshilli i Ministrave ka paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë pr/ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”.

Sa i përket marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, Mahila shtoi se nuk është një marrëveshje e re, është rinovim i asaj të bërë në vitin 2003.

“Marrëveshja është propozuar nga qeveria britanike në kuadër të daljes se saj nga Bashkimi Evropian. Një marrëveshje e tille dypalëshe ekziston që nga viti 2003, por zhvillimet ndërkombëtare dhe dinamika migratore në shkallë globale kanë bërë të nevojshëm rinovimin e këtij instrumenti juridik në fushën e ripranimeve”, tha ai.

Mahila nënvizoi se, “kjo marrëveshje është hartuar në bazë të modelit komunitar, referuar marrëveshjes Shqipëri-Komuniteti Evropian, mbi ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar nënshkruar në prill të vitit 2005, me frymën e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, në pajtim me legjisalcionin kombëtar të të dy shteteve, pa paragjykuar angazhimet e tyre të mëparshme, bazuar në marrëveshjet dypalëshe, shumëpalëshe me vendet e treta, duke respektuake parimet dhe rregullat e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale. Palët do të zhvillojnë bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të emigracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme”.

“Marrëveshja parashikon si subjekt të kërkesave për ri pranim kategoritë e shtetasve: shtetasit e palëve kontraktuese, pra shtetasit shqiptarë dhe shtetasit britanikë dhe të Irlandës së Veriut, shtetasit e vendeve të treta, personat pa shtetësi”, tha Mahila.

Mahila publikoi edhe statistikat e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë në vitet e fundit. Ai tha se “në vitin 2017 janë kryer 15 operacione riatdhesimi dhe janë riatdhesuar 680 shtetas. Në 2018 janë kryer 19 operacione ri pranimi, 913 shtetas, në vitin 2019 janë 4 operacione, 168 shtetas. Në vitin 2020 janë kryer 7 operacione dhe 207 shtetas. Në vitin 2021 janë kryer 13 operacione dhe 333 shtetas”.

I pyetur nga deputetët e opozitës mbi shkrimet e publikuar në mediet britanike sipas të cilave, po negociohet për të ngritur një kamp refugjatësh në Shqipëri, Mahila tha se, “asaj që doli në mediet britanike i është kthyer përgjigje shteruese nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, nga ministrja e Jashtme, nga ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, nga ministri i Drejtësisë. Lidhjet që bëhen nuk janë të qenësishme. Kjo marrëveshje nuk ka fare lidhje me atë që diskutohet në mediet britanike. Kjo marrëveshje ka ekzistuar që nga 2003-i. Kjo marrëveshje ekziston me të gjitha vendet e BE-së”.

“Nuk ka asnjë lloj mundësie që Shqipëria të kthehet në një vend strehues i një numri masiv emigrantësh”, theksoi Mahila.

“E para një herë kjo marrëveshje ka ta bëjë me shtetasit shqiptarë që rikthehen. Ka tre objekte, shtetasit shqiptarë dhe pastaj janë shtetasit e vendeve të treta dhe elementi i transitit. Që të detyrohemi ne si Shqipëri të pranojmë një kërkesë nga pala britanike, bëhet verifikimi dhe nëse ky shtetas i vendeve të treta, mbi bazën e përcaktimeve të kësaj marrëveshjeje, ose është nisur nga Shqipëria, ose ka pasur një leje qëndrimi nga Shqipëria, ose elementë të tjera të marrëveshjes që vërtetojnë që ky shtetas ka pasur lidhje dhe ka vajtur në Britaninë e Madhe apo Irlandën e Veriut nga Shqipëria. Këto janë rastet që merren në shqyrtim nga institucionet dhe autoritetet tona kompetente. Pra, nuk bëhet fjalë për të marrë pa kaluar në procedurën e verifikimit. Dhe vetëm atëherë kur janë kushtet, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, mundet të kthehet në Shqipëria. Ndërsa pjesa e transitit, mund të ndodhë që shtetas të vendeve të treta që janë ndaluar në Britaninë e Madhe dhe duan të kthehen në vendet e origjinës, Shqipëria ose vendet palë në marrëveshje, marrin përsipër vetëm për të krijuar lehtësitë për transitin. Çdo gjë tjetër është në dorë të vendit iniciues. Dhe operacioni i ripranimit nuk bëhet asgjë nëse vendi i origjinës nga është nisur nuk ka deklaruar me shkrim se e pranon”, tha ai.

 

Fraksion.com