AktualitetTë fundit

Rama: Me buxhetin 2022 do të vijojë financimi për bonusin e bebes

36,238 fëmijë të lindur gjatë këtij viti kanë sjellë për familjet e tyre edhe bonusin e bebes.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot të dhënat për mbështetjen me bonusin e bebes.

“Mbi 108 mijë fëmijë të lindur nga 2019, vit kur nisi programi universal i qeverisë, kanë përfituar nga mbështetja direkte e programit të mbrojtjes sociale, 40,000 lek për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 për fëmijën e tretë”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se me buxhetin 2022 do të vijojë financimi i këtij programi për çdo të porsalindur.

Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja, pavarësisht statusit social-ekonomik.

Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, pa dallim nëse kanë lindur këtu apo jashtë vendit.

Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekun e bebes në maternitetin ku ndodhen duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë.

 

Fraksion.com