AktualitetPolitikëTë fundit

Kodheli: Presim nga Ukraina ndryshim të qëndrimit për pavarësinë e Kosovës

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, priti në selinë e Kuvendit të Shqipërisë Ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.

Kodheli i uroi Ambasadorit ukrainas mirëseardhjen dhe vlerësoi hapjen e Ambasadës në Tiranë si një hap drejt promovimit të marrëdhënieve midis dy vendeve sikurse dhe të njohjes më të mirë e të ndërsjellë të historisë e kulturës së popujve tanë.

Kodheli tha se Shqipëria është ndër vendet e para që dënoi ashpër aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia dhe shprehu solidaritetin me Ukrainën.

Ndërkohë ne vazhdojmë të presim nga Ukraina një ndryshim të qëndrimit përsa i përket pavarësisë së Kosovës, ç’ka është një rast sui generis dhe krejt i ndryshëm nga ai i Krimesë, tha ajo.

Ambasadori Shkurov falënderoi për mikpritjen dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës.

Në këtë kuadër ai falënderoi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Takimin e Nivelit të Lartë Inaugurues të Platformës për Krimenë, kontributin e dhënë gjatë Kryesisë shqiptare të OSBE-së si dhe për mbështetjen në kuadrin e OKB.

Përsa i përket çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, ambasadori Shkurov u shpreh se, për shkak të rastit të Krimesë, në Ukrainë ka një ndjeshmëri të madhe që e bën të vështirë ndërmarrjen e një hapi të tillë.

Kodheli dhe Ambasadori ukrainas diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe nevojën e shfrytëzimit të potencialeve që ekzistojnë në fusha të ndryshme, si në ato të ekonomisë dhe tregtisë ashtu dhe në ato të kulturës, sportit etj.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com