AktualitetPolitikëTë fundit

Balluku me drejtues të OSHEE-së: Problematike lidhjet e paligjshme

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi sot një takim me drejtuesit rajonal të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Balluku bëri të ditur se gjatë takimit u analizua situata e deritanishme, duke u fokusuar në tregues si ulja e nivelit të humbjeve, norma e arkëtimeve, cilësia e shërbimit në sportele, etj.

“Një rëndësi të veçantë i kushtuam problematikës së lidhjeve të paligjshme, duke ritheksuar se lufta ndaj informalitetit mbetet një ndër prioritetet tona kryesore”, tha Balluku.

Sipas tregueseve të publikuar nga OSHEE, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së Energjisë Elektrike ra në 20.73 % në fund të 10-mujorit të këtij viti, nga 45 % në vitin 2013-ën, ndërsa niveli i arkëtimeve në këtë hark kohor është rritur ndjeshëm.

Referuar statistikave në vitin 2014, OSHEE arrinte të mblidhte vetëm 79.3 % të energjisë së konsumuar, ndërsa sot kjo shifër shënon rreth 96 % të energjisë së shpërndarë në rrjet.

Nga 49 miliardë lekë që mblidheshin në vitin 2014, OSHEE planifikon të arkëtojë 71.8 miliardë lekë deri në fund të vitit.

Ndërkohë edhe investimet për përmirësimin e rrjetit janë rritur ndjeshëm.

Deri në fund të muajit tetor janë investuar mbi 10 miliardë lekë kryesisht në infrastrukturë, në nënstacione, linjat e transmetimit, kabina dhe transformatorë. Po ashtu gjatë kësaj periudhe janë vënë 45 mijë matësa elektronikë.

“Në kuadër të programit të rindërtimit përgjatë muajit nëntor janë vendosur 3 mijë instalime të sistemit të matjes për objektet e reja në zonat e prekura nga tërmeti i 2019 në Tiranë, Durrës e Lezhë”, bën të ditur OSHEE.

 

Fraksion.com