AktualitetPolitikëTë fundit

“Paratë e botës nuk kalojnë përmes qeverisë shqiptare!” Rama: Së shpejti do të hyjnë në banesat e reja familjet në Ndroq e Zall Herr

Kryeministri Edi Rama i ka dorëzuar këtë të shtunë çelësat e banesave, banorëve në Vaqarr.

“U dorëzohet blloku i parë i rezidencial, familjeve që humbën strehën në tërmetin e 26 Nëntorit. Programi i Rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit nga një fatkeqësi në kthesë transformimi e zonave të prekura më fort”, shprehet Rama.

Rama paralajmëroi se së shpejti do të hyjnë në shtëpi familjet që janë në pritje në Ndroq e  Zall Herr.

“Së shpejti do të hyjnë në shtëpi ata që janë në pritje në Ndroq, Zall Herr, 5 Maji. Kjo e fundit do të jetë lagja më shembullore e Tiranës, pasi gjithçka po rindërtohet nga e para. Në Fushë Krujë, në Thumanë, Laç ku është ndërtuar një lagje e madhe. Laç po bëhet një qytet nga fillimi. Në Lezhë, në Kavajë apo deri në Mirditë ka lagje që janë drejt përfundimit”, tha më tej kryeministri.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se në këto dy vite vendi u përball me dy sfida të vështira ajo e tërmetit dhe pandemisë.

Gjithashtu ai theksoi se ishin të gjitha mundësitë që shtëpitë individuale të realizoheshin më herët, por për shkak të pandemisë u shkaktua pezullimi i shumë projekteve.

I ndalur tek akuzat për vjedhjen e fondeve, Rama tha se paratë e investuara dhe shtetet e huaja nuk kalojnë nëpërmjet qeverisë shqiptare, pasi janë ata të cilët i administrojnë.

“Ka filluar puna për lagjen e re në zonën e Spitallës e cila do të jetë një shembull. Një zonë periferike do të kthehet në një zonë të rëndësishme. Është mirë të kujtojmë që në këto dy vite jeta e vendit nuk ka qenë e lehtë dhe nuk ka qenë e patrazuar nga ndërhyrja befasuese e pandemisë e cila na shtyrë në kohë disa projekte. I kishim të gjitha mundësitë që shtëpitë individuale ti mbaronim më parë. Asnjë familje nuk është lënë vetëm, procesi ka pasur vështirësi sa i përket pronësisë, për të garantuar që të gjithë ata që spostohen të marrin tituj pronësie të padiskutueshëm. Mund të gjendet plot gjëra për të kritikuar por në këtë rast procesi ka qenë shembullor. Këto që deri tani janë ndërtuar, së bashku me shkollat, janë ndërtuar 100% me të ardhurat e buxhetit përfshirë edhe disa kontribute. Nuk ka këtu para të botës.  Dua të theksoj për të gjithë për ata që thonë ku janë paratë, të gjitha fondet e vëna në dispozion nga të tretët, nuk kalojnë përmes qeverisë shqiptare, asnjë qindarkë. Paratë e botës, bota i shpenzon vetë, janë fonde që ata i administrojnë vetë, me projekte ku ne kemi fjalën e fundit me miratimin e projekte, me tendera që i bëjnë vetë dhe kontrata që i lidhin vetë dhe në fund dorëzojnë produktin. Duhet të ndjehemi mirë që kemi arritur të bëjmë diçka që askush nuk e imagjinonte gjatë asaj tragjedie. Sot 33 mijë familjet që u prekën nga tërmeti kanë asete që  vlejnë më shumë nga çfarë kishin para tërmetit. Po bëjmë të mundur që ata që u goditën të ngrihen më të fortë. Janë vetëm 177 familje në çadër dhe marrin bonusin e qirasë dhe rrinë aty sepse nuk duan të largohen nga vendi i tyre, gjëja e gjallë. Besoj se kemi të gjitha arsyet që ta shohim me optimizëm të nesërmen dhe vitin e ardhshëm do të pastrojmë të gjitha gjurmët e tërmetit për familjet. Mbetet për t’u parë dhe do të mbyllen të gjitha duke pasur vetëm 3 superblloqet e mëdha, 5 Majit, Kombinatit dhe Spitallës që do të kërkojnë kohë”, tha ai.

 

Fraksion.com