Caroline Ziadeh shefe e re e UNMIK
Libanezja Caroline Ziadeh është emëruar përfaqësuesja e re e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB në Kosovë dhe shefe e UNMIK-ut.
Emërimi i Caroline Ziadeh në krye të UNMIK-ut është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres. Zonja Ziadeh do të pasojë afganin Zahir Tanin, i cili e mbajti këtë post për gjashtë vjet.
Caroline Ziadeh ka 30 vjet përvojë në diplomacinë ndërkombëtare dhe atë libaneze. Së fundmi ka qenë drejtoreshë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Migracionit në Liban. Ajo ka drejtuar delegacionin libanez në OKB dhe ka punuar për çështjet e migracionit, zhvillimit të qëndrueshëm, të drejtat e njeriut dhe kontributin e gruas për paqen dhe sigurinë.
Ajo ka punuar për vendin e saj në përfaqësitë në OKB dhe BE, në Nju Jork, Bruksel, Londër, Vjenë, Kroaci dhe Slloveni. Ziadeh ka studiuar ekonomi dhe politikë në Bejrut dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Bruksel e Vjenë. Ajo flet arabisht, anglisht dhe frëngjisht./DW
Fraksion.com