AktualitetTë fundit

Zhdukja misterioze e 28-vjeçarit nga Erseka/ Asnjë shenjë që prej 1 nëntorit, policia gjen makinën e braktisur

Një 28-vjeçar nga Erseka rezulton i humbur, ndërsa familjarët nuk kanë asnjë kontakt nga ai që prej 19 ditësh.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Starje të bashkisë Kolonjë ku sipas familjarëve të tij 28-vjeçari është parë për herë të fundit në datën 1 nëntor.

Sherif Mukaj i datëlindjes 30.04.1993 mësohet se përpara se të zhdukej ka lënë makinën dhe sendet e tij personale(kartën e identitet dhe një telefon).

Sipas familjarëve të cilët jetojnë prej vitesh në Amerikë djali i tyre nuk ka folur me asnjë para se të zhdukej ndërsa të shqetësuar kanë udhëtuar nga SHBA-ja drejt Shqipërisë për të kërkuar djalin e tyre.

Sipas tyre, rastin e kanë denoncuar në polici ndërsa deri më këto momente nuk kanë asnjë informacion për vendodhjen e djalit të tyre.

Ndërkohë policia ka në dorë sendet personale dhe telefonin e tij ndërsa ka nisur kërkimin që prej denoncimit të familjarëve. Sakaq këta të fundit nuk kanë dijeni nëse djali i tyre ka qenë në konflikt me njeri.

 

Fraksion.com