AktualitetBota+Të fundit

Putini, kritika ndaj Perëndimit për furnizimin e Ukrainës me armë moderne

Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi të enjten partnerët perëndimorë për furnizimin e Ukrainës me armë moderne.

Ai tha se furnizimi me armë do të “përkeqësojë” situatën në rajon.

Duke folur në Moskë, Presidenti Putin tha se NATO-ja kishte një “qëndrim konfrontues” dhe paralajmëroi një përgjigje “adekuate” ndaj aktiviteteve të saj ushtarake pranë kufijve rusë.

“Sa i përket Detit të Zi, manovrat e fundit janë jashtë limiteve të caktuar. Bombarduesit strategjikë fluturuan 20 km larg kufijve tanë shtetërorë. Ata janë të pajisur me armë të rrezikshme, siç e dini”, tha ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes e përshkroi më herët vendosjen e luftanijeve amerikane “USS Mount Whitney” dhe “USS Porter”, të cilat lundruan në Detin e Zi në fillim të nëntorit, si një “kërcënim për sigurinë rajonale dhe stabilitetin strategjik”.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha javën e kaluar se rreth 90,000 trupa ruse janë të vendosura jo shumë larg kufirit dhe në zonat e kontrolluara nga rebelët në lindje të Ukrainës.

Rusia ka mbështetur një kryengritje separatiste në lindje të Ukrainës që shpërtheu menjëherë pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska në vitin 2014 dhe ka lënë më shumë se 14,000 viktima.

Presidenti rus vuri në dukje gjithashtu praninë “shumë të nevojshme” të paqeruajtësve rusë në rajonin e Nagorno-Karabakut në mes të luftimeve të fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Armenia dhe Azerbajxhani raportuan për përleshje ushtarake në kufirin e tyre të përbashkët të martën dhe fajësuan njëri-tjetrin për fillimin e konfliktit mes tensioneve që janë shtuar mes dy vendeve ish-sovjetike që nga një luftë gjashtëjavore e vitit të kaluar mbi Nagorno-Karabakun./voa

 

Fraksion.com