AktualitetPolitikëTë fundit

“Medalje e Artë” për ekselentët, Rama: Rrezatim i forcës së shembullit

Nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute morën sot “Medaljet e Arta” në ceremoninë e organizuar në ambientet e Kryeministrisë.

Në ceremoni ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja e Shtetit për Rininë e Fëmijët, Bora Muzhaqi, mësues, nxënës etj.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama theksoi se “kurorëzimi me këto medalje të arta është prova që asgjë nuk është e pamundur kur njeriu është i gatshëm t’i përkushtohet dhe nëse njeriu është në gjendje ta shikojë një ëndërr me sy hapur fakti që e shikon mund ta realizojë”.

“Kjo tani kjo ceremoni është një praktikë dhe dhënia e medaljeve të arta për maturantët më të shkëlqyer është për ne jo vetëm momenti i dorëzimit të medaljes së shumëmerituar, por edhe një moment për t’u ndarë me të gjithë publikun pikërisht për rrezatimin e forcës së shembullit të secilës dhe secilit prej jush”, -tha Rama.

Mbase, vijoi Rama, kush mund ta mbajë mend ceremoninë e fundit do të më quajë përsëritës, por unë do ta përsëris atë që në këndvështrimin tim është edhe thelbi i kësaj arritjeje fantastike.

“Mes jush me siguri ka vajza e djem që vijnë nga situata të vështira familjare, nxënës e nxënëse që i kanë pasur të gjitha justifikimet e mundshme për të mos bërë këtë që keni bërë, vështirësi ekonomike, sociale, distancë nga shtëpia në shkollë, por fakti që ju nuk keni shfrytëzuar asnjë prej këtyre justifikimeve për të mos lënë pas dore një notë të vetme flet shumë për dallimin e madh mes njeriut që i beson ëndrrës së vet dhe e udhëheq ambicien e vet me punë të palodhur dhe shumë kujt tjetër që fsheh mosarritjet e veta pas justifikimesh që mund të jenë edhe të gjitha legjitime”, nënvizoi Rama.

Më tej, Rama vuri në dukje se “për shkak të detyrës unë kam vizituar shumë familje në situatë të vështirë ekonomike”.

“Ajo që mbetet si mbresë e pashlyeshme është fakti që në ato familje ku në ndonjë rast edhe vetë çatia e shtëpisë ishte e pamjaftueshme për të mbajtur shiun të hynte brenda në dhomë kam pasur privilegjin të takoj fëmijë që shkëlqenin në mësime që mësonin në kushte më të pamundura fizike dhe që ktheheshin në shtëpi me 10. Fëmijë që nuk mjaftoheshin vetëm me gjuhën shqipe, por flisnin anglisht rrjedhshëm, ndërkohë që në shtëpinë e tyre diskutohej sfida e përditshme e ushqimit në tavolinë dhe nuk kishte ndonjë nga të rriturit që dinte anglisht”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, shtoi Kryeministri, kjo ceremoni është pikërisht pasqyra e një brezi që kalon kohën e vet më të bukur të shkollës në situata që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, por që mbledh këtu një grup të konsiderueshëm vajzash e djemsh që vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës sa i përket statusit social të familjes, por që i bashkon fakti që janë të shkëlqyer.

Duke përshëndetur edhe prindërit e nxënësve, Rama tha se “prindërit tuaj qofshin të kamur, të varfër, meritojnë një respekt shumë të madh uroj shumë që respekti dhe mirënjohja për ta të mos iu ndahet asnjëherë në rrugën e jetës që kështu siç e keni nisur do shkoni larg. Pa prindërit dhe pa mbështetjen e tyre do të ishte shumë e vështirë në mos e pamundur, që ju të ishit këtu sot”.

Para të rinjve, Rama solli shembullin e futbollistit argjentinas Lionel Messi dhe sopranos shqiptare Ermonela Jaho, duke theksuar se “janë dy prototipa të të njëjtit shembull që lidhet me guximin për të parë një ëndërr të jashtëzakonshme që të tjerët mund ti bëjë të qeshin apo që njerëzit e afërt mund ti bëjë të shqetësohen për shëndetin mendor të ëndërrimtarëve”.

 

Fraksion.com