“Do t’i vëmë flakën!”; Naftëtarët në protestë: Kemi informacion se rafineria e Ballshit do të çmontohet dhe do shkojë për skrap
Ish-punonjësit e Kombinatit të Përpunimit të Naftës në Ballsh janë ngritur sërish në protestë ditën e sotme, teksa deklarojnë se kanë informacione se rafineria e Ballshit do të çmontohet dhe do të shkojë për skrap. Ata theksojnë se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë, duke paralajmëruar se mund të ndërmarrin edhe veprime ekstreme nëse tentohet çmontimi i rafinerisë. Prerazi ata theksojnë se do ta mbrojnë fizikisht rafinerinë dhe se pa u likuiduar të gjithë me pagat e prapambetura ‘aty do të futen vetëm ‘mbi trupat tanë’.
“Deri sa të shlyhen një më një naftëtarët, nuk shkel njeri këtu, vetëm mbi trupin tonë futen këtu. Boll kemi bërë negociata. Nëse duan që palët të zhdukin gjurmët e krimit, të bëjnë hesapet e tyre. Deri sa të likuidohen të gjithë naftëtarët, kjo rafineri do bëhet skrap nga ata dhe jo nga të tjerët. Jemi informuar që ka kaluar një mbështetje financiare, nuk është zbardhur asgjë në fletoren zyrtare, por ne jemi të shqetësuar nga disa zëra që qarkullojnë. Kjo rafineri është e naftëtarëve. Kemi ndenjur pa u paguar për 13 muaj. Me pak investime, kjo rafineri kthehet në punë, pse nuk e vënë në punë?”, thotë Sokol Dautaj, kreu i sindikatës së naftëtarëve.
Një nga naftëtarët e pranishëm në protestë shton se nëse kompania do të ndërmarrë qoftë dhe veprimin më të vogël, do t’i vënë flakën rafinerisë.
“Do futemi me dhunë, të futemi aty t’i vëmë flakën, ta përvëlojmë mos të marrin asnjë lek”, shprehet ai.
Ata kërkojnë rivënien në punë të rafinerisë, teksa vendimin e Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku për t’i dhënë pagë mujore prej 30 mijë lekësh për 2 vitet në vijim e konsiderojnë lëmoshë.
“Ne do ta mbrojmë fizikisht uzinën. Të hënë do të ketë 500 veta këtu. Nëse ata ndërmarrin veprime, ne do futemi në uzinë. Jemi kundër demontimin dhe duam vënien në punë të uzinës. Ne jemi shprehur shumë qartë, ne nuk jemi për lëmoshë, nëse nuk e vënë dot të gjithën në punë, janë disa reparte që mund të futen në punë. Nuk duan të investojnë. Ne do futemi në uzinë”, thotë një tjetër naftëtarë.
Më1 nëntor, marrëveshja e arritur një vit më parë me kryeministrin Edi Rama përfundoi, duke i lënë sërish naftëtarët në udhëkryq, ndërsa vendimi i fundit i Ballukut, duke se nuk ka kënaqur kërkesat e tyre.
Fraksion.com