AktualitetPolitikëTë fundit

Blushi reagon ndaj Bashës, i rikujton katërkëndëshin

Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, reagoi sot ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike.

“Keqardhje, që Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur”, u shpreh Blushi.

Për këtë arsye, theksoi Blushi, “i rikujtojmë Bashës, katërkëndëshin e përgjegjësive të tij madhore: Bojkoti i reformës administrative-territoriale; Bojkoti i reformës në drejtësi; Djegia e mandateve të deputetëve; Zerimi i opozitës në pushtetin vendor; që sollën kapjen totale të shtetit”.

Megjithatë, shtoi Blushi, “Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë Bashën, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë”.

“Kur z. Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99”, nënvizoi Blushi.

“Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: transparencën dhe faktet”, theksoi Blushi.

“Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, përfundoi reagimin e tij zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi.

 

Fraksion.com