AktualitetTë fundit

Rrëfehet Rezart Taçi: Nga tritoli te depozitat e naftës, si bleu kompaninë ARMO duke u hequr si amerikan

Rezart Taçi, një nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri për disa vite, ka rrëfyer rrugën e tij drejt biznesit, nga një kamarier në Torino te blerja e kompanisë ARMO.

Taçi tregon në intervistën për Top Story se shkoi në Torino si student dhe për të përballuar jetesën punonte si kamarier, por pas pak kohësh filloi të angazhohet si një lojtar burse online. Fillimisht duke realizuar transaksione të vogla, e më pas, duke tërhequr një grup investitorësh përmes një fondi.

“Arritëm që të gjithë të shumëfishonim kapitalin tonë në bursë. Pas disa vitesh para monitorit isha kthyer në asocial, kisha arritur limitet e mija fizike e mendore. Vendosa të ndërpres këtë inciativë, të shoh dicka tjetër. Këtu ndoshta është momenti që krijoj 1-milionëshin e parë”, tregon ai.

Fillimisht e nis si tregtar produktesh ushqimore dhe lëndësh të para, e më pas, hedh hapin e madh drejt naftës, ku bashkëpunon me disa italianë, por këta të fundit vendosën të tërhiqeshin brenda pak kohësh. “Kompania italiane vendos të tërhiqet, në atë moment kishim krijuar një strukturë, dhe një staf të caktuar, vendosa të vijoj vetëm me një kompani timen të importimit dhe shitjes së produkteve të hidrokarbureve, gjithashtu krijuam një rrjet prej 320 pikash karburante”, thotë Taçi.

Këtu do të niste edhe historia e tij e suksesit, pasi në vitin 2003 do të krijonte kompaninë “Taçi Oil”. Në vitin 2004 themeloi “Anika Enterprises” me seli në Zvicër ndërsa në vitin 2006 kompaninë e tregtimit me pakicë të naftës “Kuid”. Emri i Taçit bëri bujë mediatike nga fundi i vitit 2005, depozitat me mijëra ton naftë të tij në Shëngjin u shkrumbuan.

“Në fund viteve 2005 është e vërtetë kjo ndodhi, dikush ka vendosur dinamit kur depozitat ishin të tejbushura. Unë nuk krijoj armiqësi, ndoshta pozicioni ynë në treg, zotërimi i një përqindje të tregut ka krijuar reaksione. Autori nuk është zbuluar”, shprehet ai.

Vetëm pak kohë më vonë, nëpërmjet konsorciumit “Amra Oil”, të cilën e prezantoi si kompani amerikane po pas saj fshihej vetë, Taçi do të arrinte të blinte uzinën e Ballshit për 128 milionë euro. Pjesë e konsorciumit ishin “Anika Enterprises”, “Mercuria Energy”, dhe Refinery Associates of Texas”.

“Këtij konsorciumi iu bashkua dhe një kompani zvicerane me 10 %, Mercura Energy, që ishte lidër në atë kohë me volum pune 40 MLD në vit, atë kohë në tregtimin e karburanteve. Gjithashtu më 20 % u bashkua një kompani ameirkane me 40 vite eksperiencë. Krijuam këtë konsorcium” u shpreh Rezart Taçi. “Ofruam në Maj të vitit 2008, 128 mln e 750 mijë dhe këtu dua të ndalem dhe në një princip që sipërmarrja jonë ofroi, nuk ofruam për blerjen shifra sa ishte vlerësuar nga konsulenti shtetit paton bogs, që e vlerësoi 60 mln, por aplikuam principin e vlerësimit të aseteve të vendit tim”, shtoi ai.

Por pas porivatizimit, biznesi me ARMON nuk shkoi ashtu siç ai e priste, pasi kompania do të futej në një spirale borxhesh ndaj shtetit, kompanive furnitore dhe punëmarrësve. Referuar një auditi të kryer nga kompania ndërkombëtare “Deloitte”, gjatë administrimit të Taçit u akumulua një borxh prej 300 milionë eurosh, por ai pretendon të kundërtën.

“Asnjëherë nuk ka qenë qëllimi për të shmangur taksat, dhe në mënyrë absolute kjo kompai të operativitetit saj ka humbur 60 mln dollar, këtë mund ta verefikoni te 7 kompanitë që kanë operuar pas vitit 2013”, thotë ai.

“Taçi nxjerr në dritë me gojën e tij një tjetër skandal dhe favorizim që i bëri qeveria Berisha gjatë privatizimit. Stacioni i pompave të ujësjellësit të qytetit dhe nënstacioni elektrik ndodheshin brenda uzinës së Ballshit. Këto asete do të duhej ti mbeteshin shtetit, por i kaluan Taçit duke lënë në dorë të tij furnizmin me ujë të qytetit. Flitet se shpesh herë, atë periudhë drejtuesit e ARMO kërcënonin pushtetin lokal me bllokimin e pompave të ujësjellësit për të shmangur taksën e ambjentit”, raporton Top Story.

Fraksion.com