Morawiecki: Miliona migrantë mund të arrijnë në Evropë nëse nuk ashpërsohen kontrollet
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka paralajmëruar se Evropa do të përballet me fluks të “miliona” migrantëve, nëse nuk ashpërsohen politikat nëpër kufi.
Në një intervistë për mediumin gjerman, Bild, ai ka thënë se nuk e përjashton rrezikun e luftës, marrë parasysh zhvillimet në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.
“Nëse ne nuk do të jemi në gjendje të largojmë mijëra migrantë tani, shumë shpejt do të jenë edhe qindra mijëra, miliona tjerë të nisur drejt Evropës”, ka thënë Morawiecki, transmeton agjencia e lajmeve, dpa.
“Nëse ne nuk mbrojmë me vendosmëri kufijtë tanë në Evropë, qindra miliona persona nga Afrika dhe Lindja e Mesme do të tentojnë të arrijnë në Evropë, dhe sidomos në Gjermani”, ka thënë ai.
Morawiecki e ka përshkruar situatën në kufi me Bjellorusinë si stabile, por me rrezik në rritje.
Rreth 900 migrantë në kufi me Poloninë kanë kaluar natën mes të mërkurës dhe të enjtes në ambient të jashtëm, për të 11-ën ditë me radhë.
Disa prej tyre janë ankuar për vështirësi në frymëmarrje, për shkak të tymit të zjarreve për t’u ngrohur.
Brukseli ka akuzuar liderin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka se ka krijuar krizën me migrantë si hakmarrje ndaj disa rundeve të sanksioneve të BE-së kundër këtij shteti, pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në gusht të vitit 2020.
Perëndimi i konsideron ato zgjedhje të manipuluara./rel
Fraksion.com