“Basha falsifikator firmash dhe subjek hetimi i SHBA”; Kulluri: Do shkoj në Kuvendin e Berishës!
Megjithëse ende nuk ka një garë të hapur për kreun e Partisë Demokratike, Edvin Kulluri ka shprehur hapur ambicien për të kandiduar për udhëheqjen e demokratëve kur të ketë një garë të tillë.
I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Kulluri e quajti Bashën falsifikator firmash duke iu referuar dy rasteve konkrete, sipas tij. Kjo është edhe arsyeja se pse ai dëshiron sot të kandidojë.
“Këtu i vetmi që ka falsifikuar firma dhe procedura në parti është vetëm Lulzim Basha. Dhe kjo është e faktuar. Në vitin 2017, në degën Vlorë, janë kapur me kamera, dy-tre persona që votonin 5-6 herë për Lulzim Bashën. Këtë herë, në zgjedhjet për 13-Qershorin, jo vetëm që u lanë 13 ditë kohë për fushatën, që është në kundërshtim dhe me Kodin Zgjehdor si parim, por janë zhdukur nga listat me një firmë të sekretarit të përgjithshëm 28 mijë anëtarë të Partisë Demokratike. Unë e provova këtë me veten time. Unë nuk isha në listën e votuesve të PD-së.”
I pyetur se në cilin prej Kuvendeve të PD-së që priten të mbahen në dhjetor, Kulluri u shpreh se mbështet më së tepërmi atë të 11-Dhjetorit, nga Sali Berisha.
“Nuk e di, unë nuk jam delegat. Nëse forumet që drejtojnë Kuvendin, do më ftojnë, patjetër që…
Unë kam dy muaj që i kam mbështetur. Nëse në këtë Kuvend të 11-ës do të jenë 50+1 e delegatëve, i bie që në këtë të 18-ës do jenë më pak se gjysma dhe nuk do ketë kuorum. Lulzim Basha duhet të kuptojë. Kuvendet e 11-ës dhe 18-ës nuk janë koncerte, janë Kuvende ku mblidhet ose jo shumica e delegatëve.”
Më herët ish-anëtari i Këshillit kombëtar të partisë demokatrike Edvin Kulluri është shprehur lidhur me çështjen Basha-Berisha, duke e qujtur Bashën një ‘subjekt hetimi nga SHBA’. Kulluri ka deklaruar se ky vendim do t’i kushtojë Bashës, e jo PD-së.
“Për mua e vetmja zgjidhje për të djathtën është reformë e thellë historike, përballë një mazhorancë që po qeveris për herë të tretë. Mua më vjen mirë që Berisha po flet për statut në parti kur nuk e ka bërë me vite. PD ka humbur 4 palë zgjedhje nën drejtimin e Bashës. PD drejtohet me mënyrën më arbitrare dhe ka marrë në qafë një parti dhe vendin duke e lënë pa një opozitë, përballë një mazhorancë arrogante. Unë kam frikë se Basha, është subjekt hetimi në SHBA për çështjen e lobimit. Edhe Berisha e di edhe pse nuk donte tu shkonte deri në fund. Kontratat janë publikuar për këto lobime. Unë kam parë më shumë se aq. Ai është përfshirë në afera të tilla financiare të dyshimta me shtete dhe individë që janë jo miqësorë me NATO-n. Basha nuk ka qenë i lirë për të marrë këtë vendim. Zgjidhja e këtij ngërçi nuk do t’i kushtojë shumë PD-së, por do t’i kushtojë Bashës. PD do të kthehet në një parti të djathë serioze është i vetmi shans. Mendoj se kjo krizë do të zgjidhet për të dhënë një model fitues përballë kësaj mazhorancë që sillet Basha, por që ka votat për të ardhur në pushtet.’ , ka thënë Kulluri.
Fraksion.com