AktualitetNATO/BETë fundit

Sekretari i Përgjithshëm vlerëson Italinë për rolin kryesor në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u takua sot (17 nëntor 2021) me Krytarin italian të Këshillit të Ministrave, Mario Draghi, në kuadër të një vizite dyditore në Romë.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg dhe Kryeministri Draghi diskutuan sfidat aktuale të sigurisë, duke përfshirë  grumbullimet ushtarake të Rusisë në dhe rreth Ukrainës, krizën në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë, dhe zhvillimet në jug të Aleancës, duke përfshirë situatën në Mesdhe.

Ata trajtuan rëndësinë e një lidhjeje të fortë transatlantike ndërsa Aleanca vazhdon të modernizohet dhe përshtatet në një botë më konkurruese dhe përgatitet për samitin e NATO-s të vitit të ardhshëm në Madrid. U diskutua edhe për partneritetin mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian, i cili ka arritur nivele të paprecedentë.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg falënderoi Italinë, si një vend themelues i NATO-s, për rolin madhor që luan në Aleancë dhe në sigurinë ndërkombëtare. Italia është e pranishme në Detin Baltik dhe policimin ajror të NATO-s, në Kosovë dhe në luftën kundër terrorizmit – veçanërisht në kuadër të misionit të NATO-s në Irak, të cilin Italia do ta udhëheqë vitin e ardhshëm. Italia pret gjithashtu shumë institucione të rëndësishme të NATO-s, duke përfshirë Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në 70-vjetorin e të cilit do të marrë pjesë Sekretari i Përgjithshëm.

Italia gjithashtu ndihmon në mbajtjen e NATO-s të fortë nëpërmjet inovacionit dhe teknologjisë dhe po pret këtë javë Forumin NATO-Industri.

 

Fraksion.com