AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Përshpejtim i njohjes së pensioneve të shqiptarëve në Itali

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Roma se i ka kërkuar kryeministrit italian Mario Draghi përshpejtim të njohjes së pensioneve të shqiptarëve në Itali.

Në një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Republikës së Italisë, Mario Draghi, Rama njoftoi se mundi t’i kërkojë kryeministrit edhe një përshpejtim të njohjes së pensioneve.

“Ka shumë shqiptarë, të cilët punojnë prej vitesh dhe paguajnë kontribute në shtetin italian. Pastaj folëm ashtu siç tha dhe kryeministri për sigurinë dhe për drejtësinë. Edhe këtu mendoj që kemi mundësi të mira për të zhvilluar projekte, të cilat t’u drejtohen më shumë të rinjve, të tërheqin më shumë të rinjtë drejt një arsimimi, drejt një edukimi me cilësi të lartë, siç është ia që njihet ndërkombëtarisht si Akademia Italiane e Policisë. Apo si ajo që është shumë e vlerësuar Shkolla Italiane e Magjistraturës”, u shpreh ai.

Rama theksoi se, “Italia ka qenë një protagoniste, ka pasur një rol kryesor në të gjithë këtë periudhën e këtij kalimi të dhimbshëm dhe jo të thjeshtë, nga një regjim i mbyllur diktatorial,në një demokraci funksionale dhe nuk do të jetë asnjëherë e mundur për ne që ta shprehim me fjalë të gjithë mirënjohjen kundrejt këtij vendi, kundrejt të gjithë atyre që kanë qeverisur dhe asnjëherë nuk e kanë ndryshuar qëndrimin ndaj Shqipërisë. Si ata të së djathtës, të së majtës, apo ata të atyre grumbullimeve të qeverive”.

“Ne tani mund të bëjmë shumë më tepër, sepse sot nuk janë vetëm shqiptarët që punojnë, jetojnë në Itali, por janë të shumtë italianët që nga sipërmarrësit, studentët dhe pensionistët italianë. Pra është një e ardhme që do të na lidhë gjithnjë e më tepër dhe sigurisht Italia është një vend i madh i fortë, ekonomikisht, një vend shumë i zhvilluar. Shqipëria është një vend shumë i vogël në zhvillim e sipër, por sidoqoftë duhet që të gjehen rrugët, mënyrat për ta forcuar këtë lidhje sepse është diçka që i bën mirë të dyja vendeve”, tha Rama.

Rama e cilësoi gjithmonë një nder praninë në Pallatin Chigi, por kësaj herë, u shpreh ai “nuk është vetëm një nder të takoj kryeministrin italian, por është edhe një privilegj që takoj Mario Draghi-n”.

“Dua ta falënderoj edhe për këtë privilegj, sepse është një mundësi kjo për të mësuar dhe për të folur, diskutuar, jo vetëm për gjërat e tashmë, por edhe për t’u projektuar drejt së ardhmes”, tha Draghi.

“Folëm edhe në drejtim të integrimit evropian që të mund të çelim një korsi më të shpejtë, në mënyrë që të integrohen më shpejt sesa vendet e Ballkanit Perëndimor, disa kategori të rëndësishme siç janë të rinjtë. Gjë që do të ishte vërtetë shumë e rëndësishme nëse do të mund të integroheshin sistemet universitare evropiane, me sistemet universitare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Apo sistemet evropiane të bujqësisë me sistemet tona të bujqësisë. Sistemet e kërkimit dhe inovacionit me sistemet tona të kërkimit dhe inovacionit Dhe padyshim edhe në fusha të tjera, pa harruar tranzicionin ekologjik që është një sfidë e përbashkët”, tha Rama.

“Nuk ka kuptim që të ketë dy korsi të ndara, një e BE dhe një e Ballkanit Perëndimor, për arsye të ndryshme. Dhe për një arsye themelore, të cilën e nënvizoi kryeministri, çdo gjë që ndodh në Ballkanin Perëndimor, si në të mirë ashtu edhe në të keq, ka një ndikim të menjëhershëm mbi Evropën. Sepse mjafton të mendojmë që BE është e vetmja krijesë gjeografike me një kufi të jashtëm dhe me një kufi të brendshëm. Dhe jashtë këtij kufiri të brendshëm janë 6 vende që praktikisht jetojnë në zemër të BE-së”, theksoi Rama.

“Më në fund shpresoj që kryeministri do të ketë mundësinë të vizitojë Shqipërinë dhe pasi ta kemi organizuar së bashku me të gjithë autoritetet, një javë të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë, për të kremtuar gjithçka që na lidh. Edhe pse për ta bërë në mënyrë të përkryer nuk mjaftojnë 7 ditë, na duhen 365 ditë”, përfundoi Rama.

 

Fraksion.com