AktualitetPolitikëTë fundit

Italia mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë para fundit të vitit

Italia mbështet hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, para fundit të vitit.

Kështu u shpreh sot ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, në një deklaratë të përbashkët për shtyp nga Palazzo della Farnesina, Romë, me Kryeministrin Edi Rama, i cili po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Itali.

Di Maio dhe Kryeministri Rama drejtuan sot mbledhjen e parë të Komitetit të përbashkët për çështjet ekonomiko-sociale mes dy vendeve, që ishte lançuar para një vitit gjatë vizitës së Di Maio-s në Tiranë.

“Si objektiv ne kemi përforcimin e marrëdhënieve tona për të bërë një hap tjetër të rëndësishëm cilësor në bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Kjo nuk vjen vetëm si detyrim nga lidhja mes dy vendeve tona, por edhe nga përkatësia në BE, ndaj unë konfirmoj mbështetjen tonë për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në familjen europine. Shpresoj dhe mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim para fundit të vitit”, tha Di Maio.

Sipas tij, “kjo do të jepte një mesazh besimi dhe optimizmi për gjithë rajonin e Ballkanit”.

Di Maio vlerësoi se shkëmbimi që patën sot në Komitet ishte shumë frytdhënës. “Tani kemi objektiv që në muajt e ardhshëm t’i kemi operative idetë dhe për këtë sot ramë dakord për një plan veprimi që të konkretizojmë angazhimet që kemi ndërmarrë në të gjithë sektorët strategjikë. Dolën në pah disa perspektiva të rëndësishme për bashkëpunimin tonë. Në sektorin e infrastrukturës, flitet për modernizim që Kryeministri Rama e ka vënë tashmë në kantier dhe ne si italianë duam të jemi protagonistë të realizimit të këtyre projekteve. Mbi këtë mund të mbështetemi në praninë e sipërmarrjeve italiane që veprojnë në tregun shqiptar, duke dhënë një kontribut në rritjen e punësimit dhe në rritjen ekonomike”, tha Di Maio, ndërsa vlerësoi se Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë.

Ai nënvizoi praninë në tregun shqiptar të shumë sipërmarrësve italianë dhe perspektivën e integrimit nëpërmjet linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Mali i Zi.

Po ashtu, Di Maio solli në vëmendje përfundimet e Konferencës së Klimës në Glasgow, ku u  konfirmua që bashkëpunimt në këtë sektor duhet t’i jepet rëndësi si në rrafshin kombëtar ashtu edhe europian.

“Nga ky këndvështrim, Italia dhe Shqipëria mund të kenë një rol udhëheqës në të gjithë Ballkanin Perëndimor edhe përmes planit për zhvillimin ekonomik, të lançuar nga KE”, tha ai.

 

Fraksion.com