Bjellorusia strehon një pjesë të migrantëve në magazina pranë kufirit për shkak të të ftohtit
Qindra migrantë që qëndronin në kampe të improvizuara e në të ftohtë në kufi me Poloninë, janë zhvendosur në një magazinë aty pranë brenda territorit bjellorus, sipas disa njoftimeve të mërkurën, që bënin gjithashtu të ditur se migrantët ushqejnë ende shpresa për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Lëvizja vjen një ditë shpërthimit të tensioneve në kufi. Migrantët hodhën gurë ndaj forcave polake, duke plagosur 12 prej tyre, ndërsa këto të fundit u përgjigjën me ujë me presion, e gaz lotsjellës. Varshava akuzoi forcat bjelloruse për nxitje të konfliktit, ndërsa Minsku denoncoi ato që i quajti “veprime të dhunshme” të Polonisë.
Migrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme, kanë mbetur të bllokuar në kufi që nga 8 nëntori. Shumica janë larguar nga konflikti në vendet e tyre apo situata dëshpëruese në atdhe, me synimin për të hyrë në Gjermani apo vende të tjera të Evropës Perëndimore.
Perëndimi ka akuzuar Presidentin e Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko se po i përdor migrantët si pengje për të destabilizuar bllokun evropian, si hakmarrje mbi sanksionet e vendosuara ndaj regjimit të tij autoritar. Bjellorusia mohon të ketë orkestruar krizën, e cila e ka zanafillën prej sezonit veror, kur shumë migrantë janë përpjekur të kalojnë kufirin nga Bjellorusia, drejt Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë.
Sipas njoftimeve rreth 1,000 emigrantë ranë dakord të martën të zhvendoseshin në një ndërtesë në fshatin Bruzgi në pritje të zgjidhjes së situatës. Mediat lokale cituan disa prej tyre emigrantëve të kenë thënë se ata nuk kishin në plan të ktheheshin në vendet e tyre.
Disa emigrantë zgjodhën të qëndrojnë jashtë, pranë kufirit.
Hapat e ardhshëm për zgjidhjen e krizës janë të paqarta. Edhe pse janë arritur marrëveshje për fluturime nga Minsku në Irak, për riatdhesimin e atyre që duan të kthehen, nuk është e sigurt se sa prej tyre duan kthehen.
Kancelarja gjermane Angela Merkel bisedoi me zotin Lukashenko, legjitimiteti i të cilit është vënë në pikëpyetje nga Perëndimi, pas rizgjedhjes së diskutueshme të tij në vitit 2020. Ajo tha se migrantëve duhet t’u jepet mundësia të kthehen në vendet e tyre me ndihmën e UNHCR-së dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin.
Iraku u ka bërë thirrje qytetarëve të tij të rikthehen në atdhe, duke u thënë atyre se rruga për në Bashkimin Evropian është e mbyllur. Fluturimi i parë për riatdhesimin vullnetar drejt Irakut, pritet të bëhet të enjten.
Fraksion.com