Mianmari liron gazetarin amerikan të arrestuar qysh në maj
Gazetari amerikan Danny Fenster është liruar nga burgu në Mianmar, disa ditë pasi një gjykatë e dënoi atë me 11 vjet nën akuzat e ngritura nga junta ushtarake në pushtet.
Duke njoftuar lirimin e amerikanit të hënën në një postim në Twitter, Sonny Swe, botuesi i revistës së lajmeve në internet Frontier Myanmar me bazë në Jangon, ku Fenster punon si redaktor tha se ishte një “lajm i mrekullueshëm”.
“Danny është një nga gazetarët e shumtë në Myanmar që janë arrestuar padrejtësisht që nga grushti i shtetit të shkurtit thjesht për kryerjen e detyrës”, shkroi revista në Twitter. “I bëjmë thirrje regjimit ushtarak të lirojë të gjithë gazetarët që mbeten pas hekurave në Mianmar”.
Bill Richardson, ish-ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, i tha agjencisë Associated Press se gazetari Fenster ishte liruar dhe së shpejti do të kthehej në Shtetet e Bashkuara përmes Katarit.
“Ne jemi shumë mirënjohës që Danny më në fund do të jetë në gjendje të ribashkohet me të dashurit e tij, të cilët e kanë mbështetur atë gjatë gjithë kësaj kohe, kundër mosmarrëveshjeve të mëdha,” tha zoti Richardson në një deklaratë të lëshuar për agjencinë AP.
Fenster u arrestua më 24 maj në Aeroportin Ndërkombëtar të Jangonit, pak para se të hipte në një avion për në Shtetet e Bashkuara. Ai u dënua të premten me 11 vjet burg nën akuzat për kontakte të paligjshme, nxitje kundër ushtrisë dhe shkelje të rregullave të vizave. Fenster po përballej gjithashtu me dy akuza shtesë për terrorizëm dhe rebelim që u ngritën kundër tij vetëm disa ditë më parë, që mund të kishin çuar në 30 vjet burg shtesë.
Avokati i zotit Fenster, Than Zaw Aung, tha se arrestimi i klientit të tij u bazua në punësimin e tij të shkurtër si redaktor në shërbimin e lajmeve në internet Myanmar Now, nga e cila ai u largua vitin e kaluar përpara se t’i bashkohej revistës Frontier Myanmar.
“Myanmar Now” ishte një nga pesë mediat, licencat e të cilave u hoqën nga junta ushtarake në prill.
Myanmariështë përfshirë nga në trazirat që kur ushtria rrëzoi qeverinë civile më 1 shkurt dhe arrestoi disa nga liderët e saj, duke përfshirë udhëheqësen de fakto Aung San Suu Kyi dhe presidentin Win Myint.
Junta ushtarake pretendoi se rezultatet e zgjedhjeve ishin manipuluar, një pretendim i hedhur poshtë nga komisioni zgjedhor i vendit. Sipas grupit të monitorimit të Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, përleshjet e dhunshme mes ushtrisë dhe qytetarëve që kanë organizuar demonstrata masive kundër juntës kanë lënë të vdekur më shumë se 1252 banorë.
Më shumë se 100 gazetarë janë arrestuar, sipas faqes së internetit për lajmet në Azi, “Reporting ASEAN”.
Fraksion.com