Kubë, autoritetet bllokojnë organizatorët përpara marshimit të planifikuar
Autoritetet kubane po godasin aktivistët që kanë bërë thirrje për një “Marshim Qytetar për Ndryshim”.
Qeveria kubane ka paralajmëruar opozitën se nuk do të tolerojë veprimet që i quan “anti-revolucionare” dhe “terroriste”, dhe tha se beson që demonstrata është pjesë e një plani amerikan për të ndërhyrë në vend.
Përpara marshimit të planifikuar për të hënën, gazeta “The Washington Post” njoftoi se forca të shumta policore të veshura me rroba civile rrethuan shtëpitë e aktivistëve dhe gazetarëve të pavarur, për t’ua ndaluar daljen nga shtëpitë.
Gazetarët thanë se qeveria po përpiqej të ndalonte protestën duke mos lejuar drejtuesit e demonstratës dhe punonjësit e medias që të dilnin nga banesat e tyre.
Të dielën, zyrtarët kubanë rrethuan shtëpinë e Yunior Garcia Aguilera, një udhëheqës i Archipielagos, grupi që planifikoi marshimin e së hënës.
Zoti Garcia kishte vendosur të bënte një shëtitje i vetëm të dielën pasdite me një trëndafil të bardhë në mbështetje të njerëzve që nuk mund të merrnin pjesë të hënën. Por ai nuk pati mundësi të vepronte sepse banesa e tij ishte e rrethuar nga agjentë të qeverisë.
Mbështetësit e opozitës kubane po organizojnë të hënën protesta në mbarë botën në shenjë solidariteti, përfshirë edhe në Majami, ku ka një popullsie të madhe me origjinë kubane.
Gjatë një konference për shtyp në Majami të hënën, guvernatori i Floridas, Ron DeSantis tha se: “Ne të gjithë, si njerëz të lirë, duhet të dëshirojmë të shohim ditën kur do të kemi një Kubë të lirë”.
Ministri i Jashtëm kuban Bruno Rodriguez e ka cilësuar protestën e planifikuar në Kubë si një “operacion destabilizues të projektuar në Uashington”.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën në një deklaratë se: “Ne i bëjmë thirrje qeverisë kubane të respektojë të drejtat e kubanëve, duke i lejuar ata të mblidhen në mënyrë paqësore dhe të përdorin zërat e tyre pa frikë nga hakmarrja ose dhuna e qeverisë, dhe duke mbajtur hapur linjat e internetit dhe telekomunikacionit për shkëmbimin e lirë të informacionit”.
Në korrik, policia dhe njësitë ushtarake kubane u dërguan për të shtypur një demonstratë paqësore të opozitës. Me mijëra persona u arrestuan. Shumë prej tyre ende përballen me akuza.
Planet e marshimit të së hënës iu kundërvunë festimeve që kishin planifikuar zyrtarët kubanë. Disa zhvillime do të shënohen të hënën në ishull, përfshirë kthimin e turistëve me heqjen e kufizimeve ndaj COVID-19ës, që do të lejojë gjithashtu që fëmijët të rikthehen në shkolla.
Fraksion.com