AktualitetPolitikëTë fundit

Deklaratat e Grida Dumës, Balla: Kushdo që shkel rregulloren, do marrë ndëshkimin. Ku e gjen helmin?

Replika të forta në parlament pas deklaratave të deputetes së PD-së Grida Duma. Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla nxori rregulloren dhe Kushtetutën në foltoren e parlamentit dhe tha se kushdo që do t’i shkelë do të marrë ndëshkimin që parashikohet. Ai i cilësoi helm deklaratat e Dumës.

“Në këtë sallë kushdo që do t’i shkelë do të marrë ndëshkimin që parashikon secila prej tyre. Parimi themelor që ju nuk po e respektoni është e drejta e fjalës së gjithsecilit. Sa kohë do duhet të durojë ky parlament që një deputet të marrë fjalën dhe në atë moment të mos flasë askush tjetër. Ky është parimi themelor i parlament.

Zonja ka një problem shumë të madh me veten që sa herë flet fyen. Do i bëj thirrje megjithatë të tolerojmë sa herë të kemi mundësi. Keqardhje e madhe që një zonjë vjen këtu dhe derdh helmin që në pikë të mëngjesit. Ua qaj hallin zoti Basha. Por asnjë nga këto nuk është statuti i PD-së, me statutin e PD-së nuk merremi. Me këto tre libra harroni se ndonjë prej jush mund ta shkelë dhe nuk do merrni ndëshkimin. Vetëm kështu ata baballarët e këtij sistemi politik që kemi zgjedhur, këto libra ruajnë rregullat. Kushtetuta ruan shtetin. Në rast se në këtë sallë do merret fjala pa ta dhënë nuk quhet më Kuvend”, tha Balla duke i kërkuar kryetares së Parlamentit të mos lejojë të flasin deputetë pa leje.

Ndërkohë që në replikë, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se maxhoranca nuk pyet për ligj e as për Kushtetutë dhe se është gati t’i vërë flakën dhe parlamentit e vendit për hallin e saj.

“Ky kaloi 20 sekonda meqë do të mbash kohën, mbaje kohën. Tani të kalojmë tek thelbi sepse nuk na heq dot nga thelbi. Kjo është me të vërtetë kushtetuta e republikës së Shqipërisë, por gjithçka tjetër këtu është jo vetëm pa lidhje me këtë kushtetutë, por është antikushtetuese. Dhe ne nuk jemi këtu si garnitura e një skote antikushtetuese të ardhur me parat e krimit, me bandat me blerjen e votës me shpërdorimin e parave të tërmetit me keqpërdorimin e fatkeqësisë me shkatërrimin e fshehtësisë dhe lirisë së votës dhe këto janë citime të raportit të OSBE-ODIHR. Ne kemi ardhur këto të bëjmë gjithçka për ta çliruar Shqipërinë nga kjo skotë. Me gjithë respektin që kam për ato të paktë mes jush që nuk kanë lidhje me masakrën zgjedhore të 25 Prillit. Kështu që kur e merr këtë në dorë kujdes, sepse të pakta janë faqet ku nuk janë shkruar rregulla që i keni dhunuar me vetëdije. Keni dhunuar edhe ndryshimet e njëanshme antikushtetuese që keni bërë me 30 korrik. Vetëm për ta mbajtur pushtetin me dhunë me 25 Prill. Këtu është edhe parashikimi kushtetues që keni shkelur jo më pak se 2 javë më para kur ndaluat komisionin hetimor Beccheti. Ndonëse keni 3 vendime të gjykatës kushtetuese. Ju nuk pyesni për kushtetutë, ju nuk pyesni për gjykatë kushtetuese, ju nuk pyesni për ligj, ju s’pyesni për njerëzillëk, ju s’pyesni për njerëzit, ju s’pyesni për hallet e tyre. Ju keni vetëm hallin tuaj dhe për hallin tuaj jeni gati t’i veni flakët këtij parlamenti dhe Shqipërisë. Nuk do ua lejojmë dhe do të digjeni vetë në flakën që keni ndezur”, deklaroi Basha.

 

Fraksion.com