Tirana me valën më të rëndë të pandemisë në 2021, fatalitetet u rritën me 44%
Tirana është qyteti që ka vuajtur më shumë nga pandemia përgjatë 9 muajve të këtij viti, sidomos në tremujorin e parë, e reflektuar në një rritje të lartë të fataliteteve në krahasim me periudhën para pandemike.
Sipas të dhënave të INSTAT, për 9 mujorin 2021, në kryeqytet u shënuan 5546 humbje jete, me një rritje të lartë prej 44% në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, nga 31.5% që ishte mesatarja kombëtare. Edhe në raport me 9 mujorin 2020, vdekshmëria shtesë në Tiranë është rritur me 20%.
“Numri i lartë i fataliteteve në Tiranë ka si arsye kryesore dendësinë e lartë të popullsisë në raport me qytetet e tjera, duke favorizuar përhapjen më të madhe të virusit. Dihet tashmë se në qendrat e mëdha urbane ku grumbullimet janë edhe më të larta, infektimet përhapen më shumë e për pasojë edhe fatalitetet janë më të mëdha. Në dy valët e tjera të pandemisë, Tirana kishte më pak fatalitete në raport me popullsinë si pasojë e masave të larta kufizuese dhe vetë ndërgjegjësimit më të lartë të qytetarëve për tu mbrojtur se sa në rrethe. Gjatë vitit 2020 në Tiranë virusi u përhap më shumë në zyrat, institucione dhe qendra të punës, ndërsa këtë vit kishte një përhapje të lartë familjare, sidomos gjatë dimrit”, thotë Petrit Malaj, mjek pneumolog në Tiranë.
Ai shton se gjatë vitit 2021 masat kufizuese ishin më pak strikte dhe vigjilenca humbi të një pjesë e popullsisë në moshë, e cila është edhe më e rrezikuara nga pandemia.
Më e rënduar situata në kryeqytet ishte në tremujorin e parë 2021. Gjatë janar-marsit të këtij viti u regjistruan 2,701 vdekje, me rritje prej 82% në krahasim me mesataren përkatëse 2016-2019, në dy tremujorët në vijim vdekshmëria shtesë ishte rreth 20% më e lartë sesa në periudhat përkatëse mesatare 2016-2019.
Vendin e dytë për rritjen e fataliteteve e mban Vlora, me +42.6%. Qyteti bregdetar vitin e kaluar kishte rritje të ulët të vdekshmërisë, ndërsa duket se vala e ka goditur këtë vit.
Pas Vlorës renditet Fieri, me shtesë 40.3%, i ndjekur nga Durrësi me 34%.
Shkodra dhe Lezha, të cilat vitin e kaluar shënuan rekordin e vdekshmërisë shtesë kanë regjistruar rritje më të ulët të fataliteteve këtë vit sesa qytetet e tjera (përkatësisht +31.8% dhe +27.5%).
I vetmi qark që ka shënuar rënie të vdekshmërisë për 9 mujorin 2021 është Kukësi, ku fatalitetet u reduktuan me 3%.
Në vitin 2020, rritja më e lartë vjetore e fataliteteve ishte në Shkodër (+34%), Tiranë (+32%), Elbasan (31.3%), Shkodër (31%).
Që nga fillimi i pandemisë 11 mijë vdekje shtesë në vend
Që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, në vend janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019.
Të dhënat janë përpunuar nga Monitor, bazuar në treguesit demografikë tremujorë të INSTAT.
Për gjithë 9 mujorin, në vend janë shënuar 21,471 humbje jete, me një rritje prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s, për shkak të fataliteteve të larta që ndodhën sidomos në tremujorin e parë të këtij viti.
Në krahasim me mesataren e 9 mujorit 2016-2019, fatalitetet në vend për janar-shtator 2021 janë rritur ndjeshëm me 31.6%.
Sipas tremujorëve, shtesa më e lartë e jetëve të humbura ishte në tremujorin e katër 2020 (+3,380) dhe të parin 2021 (+3,322). Pandemia filloi të japë pasoja në humbjen e jetëve që në tremujorin e tretë 2020 (+1,684), ndërsa efektet vijuan të ndiheshin dhe në prill-qershor të këtij viti (+729) dhe korrik-shtator (+1,097)./Monitor
Fraksion.com