AktualitetLife StyleTë fundit

“Ti Fadil Paçrami, je dhënë pas…”; Enver Hoxha në Mbledhjen e Byrosë Politike ‘65: Ke lënë mënjanë punët e Partisë. U ngrite natën e shkove në Shkodër

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), në të cilat gjenden proces-verbalet e dy mbledhjeve të Byrosë Politike të mbajtura në vitet 1965 – ‘66, ku Enver Hoxha pas i komunikoi Fadil Paçramit në mbledhjen e 16 qershorit 1965, se Byroja Politike kishte vendosur ta emëronte në detyrën e ministrit të Kulturës dhe Arteve, i vë në dukje atij, duke i thënë se vazhdonte të merrej me drama, duke lënë mënjanë punën dhe problemet e Partisë, aq sa kur në teatrin “Migjeni” po luhej një nga pjesët e tija, ai u ngrit dhe për gjithë natën shkoi në Shkodër, ku pasi e pa dramën, bëri një mbledhje me intelektualët e qytetit?! Mbledhja e shkurtit të vitit 1966, ku Enver Hoxha pasi u komunikoj tre anëtarëve të Byrosë Politike, Manush Myftiut, Rita Markos dhe Gogo Nushit, emërimin e tyre si sekretarë të parë të Komiteteve të Partisë të rrethit të Tiranës, Durrësit e Beratit, duke u dhënë detyrat e porositë përkatëse për atje ku do shkonin me punë dhe uruar atyre suksese në detyrën e re, në fund të mbledhjes, i kërkoi Manush Myftiut, që ai t’i tërhiqte veshin Fadil Paçramit, pasi ai vazhdonte të merrej me drama dhe po vinte në Teatrin e Operës e Baletit, dramën e tij, “Shtëpia në bulevard”! Shpërthimi i Enverit në atë mbledhje ku ai vendosi shkarkimin e Paçramit nga funksioni i ministrit të Kulturës dhe Arteve, (ku e kishte emëruar vetëm disa muaj më parë), duke e konsideruar dramën e tij një skandal të vërtetë dhe një punë të poshtër, pasi sipas tij, aty nuk po viheshin vepra për mësuesin që hapi 45 shkolla në Mirditë dhe e vranë, për trimat që ranë në luftë për lirinë e atdheut, për Skënderbeun etj., por vihej drama e tij, për një vajzë që kishte mbetur me barrë?!

Diskutimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, më 16 qershor 1965

Me këtë rast që Byroja Politike po të ngarkon detyrën e ministrit të Kulturës, dëshiroj që ty shoku Fadil (Paçrami) të të bëj disa vërejtje, të cilat do të të shërbejnë për mbarëvajtjen e punës në këtë dikaster. Vërejtje mund të kenë edhe shokët e tjerë. Në radhë të parë, dua të të them që në zbatimin e vijës së Partisë te ti, nuk duken ajo gjallëri, ai kujdes dhe ajo këmbëngulje që duhet të ekzistojnë te një kuadër me kulturë dhe i vjetër në punë.

Gjatë gjithë veprimtarisë tënde në disa raste vërtetohen gjithashtu edhe njëfarë qëndrimi i përciptë dhe disa herë nënvleftësim i një pune këmbëngulëse dhe i eksperiencës së bazës. Gjatë bashkëpunimit tonë me ty, disa herë, kemi konstatuar se je mjaft subjektivist. Ky subjektivizëm të ka penguar të shikosh e të vlerësosh mendimet e të tjerëve.

Mendimet e njeriut duhet të kenë lidhje me nevojat dhe me situatat tona. Në këtë drejtim ti ke mjaft të meta. Jo vetëm të mos jesh subjektivist në mendimet e tua, por të dëgjosh më mirë edhe mendimet që të japin shokët dhe bashkëpunëtorët e t’i çosh ato deri në fund. Veç kësaj, në punë ty të ka penguar dhe të pengon mjaft prirja që ke për të shkruar drama. Këtë çështje ta kemi vënë në dukje edhe më përpara.

Me drama ti je marrë kur ishe drejtor i Drejtorisë së Propagandës në Komitetin Qendror dhe kjo s’kishte si mos të të pengonte, ca më tepër do të të pengojë në detyrën e ministrit. Dramat që bën ti ose janë diçka që i punon me shpejtësi dhe mund të jenë pa ndonjë vlerë, ose për to bën përpjekje të mëdha dhe harxhon shumë kohë.

Po t’i shohim mirë dramat e tua, do të thoshim se do të ishte më e përshtatshme që për popullin tonë, të shkruhej një pjesë dramatike patriotike, e cila të ngrinte peshë ndjenjat e njerëzve, sesa pjesë dramatike me çështje shumë të stërholluara, që e fusin spektatorin në një luftë të brendshme ndjenjash, siç ndodh tek ato të tuat.

Mendoj se një pjesë artistike, e lidhur mirë me problemet e mëdha aktuale të shtetit dhe të Partisë, si për shembull, me ato të bujqësisë, do të ishte më e dobishme. Ekziston luftë ndjenjash në radhët e kooperativistëve? Po, kjo është e vërtetë, po mendoj se, nëpërmjet veprave artistike, kooperativistët dhe të gjithë punonjësit tanë duhet, në radhë të parë, të frymëzohen me dashurinë për punën, për të ngritur ndërgjegjen e tyre që të prodhojnë sa më shumë etj., në mënyrë që t’u futen seriozisht detyrave të bujqësisë kudo ku ata punojnë.

Po ta trajtojmë çështjen nga kjo anë, mendoj se “ndjenjat vockla”, do të munden nga ndjenjat e mëdha që do të trajtohen dhe që përbëjnë idealet e vërteta të Partisë e të njerëzve të punës. Aspektet e tjera që kanë të bëjnë me forcimin e mëtejshëm të ndërgjegjes janë plotësuese. Shkruarja e dramave ty të bën që edhe një pjesë të kohës së punës t’ia kushtosh kësaj veprimtarie.

Ti mund të na thuash se ato që shkruan nuk të pengojnë në punë, se për to punon natën. Por, siç më kanë raportuar shokët, ty nuk të ka zënë gjumi, kur luhej një nga dramat e tua në Shkodër, sepse u ngrite dhe shkove atje natën dhe, pasi e pe dramën, të nesërmen bëre mbledhje me intelektualët e qytetit.

Një qëndrim krejt të kundërt mbajte në aktivin e Partisë në Fier, nga i cili u largove duke thënë se: ‘do të vij përsëri’, në vend që të qëndroje atje gjer në fund dhe të dëgjoje diskutimet që zhvilloheshin për punën e Partisë, e cila për të gjithë ne ka rëndësi të dorës së parë.

Çështjen e kam se në personin tënd, nga njëra anë është manifestuar një preokupim i madh për të shkruar drama, nga ana tjetër, mungesë preokupacioni për mbledhjet e Partisë, bile këtyre u je mënjanuar. Kjo nuk është e mirë dhe tregon lidhje jo të shëndosha me punën, me kryerjen e detyrave nga ana jote. Prandaj t’i vëmë në dukje këto dobësi, me qëllim që të ndreqesh, sidomos tani që bëhesh ministër.

Puna e ministrit të Kulturës ka rëndësi shumë të madhe. Pikërisht për këtë arsye ne e ndajmë Kulturën nga sektori i Arsimit. Në sektorin e Kulturës, ti do të kesh të bësh me lloj-lloj njerëzish, prirjesh e drejtimesh, me muzikantë e kompozitorë, me punonjës të teatrit, të baletit e të arteve figurative, me shkrimtarë etj., etj.

Në të gjitha këto fusha Partia ka një vijë, e cila duhet të mbrohet dhe të zbatohet gjer në fund. Vijën e Partisë do ta mbrosh, në qoftë se në punën tënde, nuk do të udhëhiqesh nga prirje subjektiviste. Duke qenë ministër i Kulturës, në këtë post të rëndësishëm që të jep Partia, ti duhet të kesh shumë kujdes që të mos mbivlerësosh sektorin e dramaturgjisë dhe të neglizhosh, të themi, baletin, pikturën, muzikën, folklorin, përkthimin dhe botimin e librave etj., ose të biesh në subjektivizëm në marrëdhënie me autorët e tjerë që krijojnë e punojnë në këto fusha.

Si udhëheqësi kryesor i Ministrisë së Kulturës, në rrugë të drejtë partie, duhet të përpiqesh të harmonizosh çdo gjë, të insistosh fort kur duhet, të veprosh sipas rastit dhe problemeve që dalin, në asnjë mënyrë të mos nisesh nga sentimentet, por nga vija, direktivat dhe normat e Partisë.

Vetëm zbatimi i drejtë i vijës së Partisë mund të sigurojë suksese në këtë sektor të rëndësishëm dhe jashtëzakonisht të vështirë. Prandaj të kesh kujdes të madh, në radhë të parë, në marrëdhëniet me njerëzit dhe në edukimin e tyre. Të ruhesh nga prirjet, sidomos nga prirjet e afrimit me disa prej punonjësve të artit e të kulturës dhe largimit nga disa të tjerë, se një gjë e tillë mund të të ndodhë, por kurdoherë të kesh parasysh mbrojtjen e vijës së Partisë.

Vija është e tillë që të gjithë sektorëve duhet t’u jepet rëndësia që u përket, në mënyrë që punonjësit e artit dhe të Kulturës të shohin te ti një ministër që interesohet njëlloj dhe mban qëndrim të ngrohtë me ta dhe, brenda mundësive tona materiale, bën përpjekje që në rrugën dhe në vijën e Partisë të ndihmohen njëkohësisht të gjithë.

Mbajtja e kontakteve sa më të ngushta me punonjësit e këtij sektori ka rëndësi të madhe. Unë mendoj që jo vetëm ti, po edhe shokët që merren me agjitacionin dhe propagandën e Partisë, me kulturën dhe me arsimin, duhet të punojnë edhe më shumë me njerëzit e këtyre sektorëve, me të cilët kanë të bëjnë, të shkojnë atje ku ata punojnë dhe diskutojnë, atje ku ata mblidhen ose pushojnë.

Ju mund të ndihmoni mjaft edhe në drejtim të përgatitjes dhe të dhënies së direktivave, zbatimin e tyre duhet ta ndiqni pastaj në jetë. Vajtja juaj, për shembull, një orë në klub ose atje ku mblidhen artistët apo shkrimtarët, në teatër etj., qëndrimi juaj shoqëror dhe i ngrohtë do t’i afrojë njerëzit e artit dhe të kulturës me ju dhe anasjelltas, do të bëjë që ata për çdo nevojë, për çdo sqarim, të vijnë t’ju takojnë dhe në mënyrë shoqërore t’ju thonë çdo gjë më lehtë, sesa të drejtohen në Komitetin Qendror.

Takimi me njerëzit është i vetmi mjet për të mësuar ç’mendohet e ç’diskutohet, cilat janë kërkesat dhe pikëpamjet e tyre dhe këtej do të duket si po zbatohet vija e Partisë në frontin e kulturës, së cilës duhet t’i vihet rëndësi e madhe. Disa nga këto që po të them, mbase i kam parë edhe përciptazi, prandaj mos i merr si diçka të keqe që është formuar në mendimin tim për ty.

Shoku Ramiz Alia më ka thënë se për të metat që ke edhe ai të ka folur dhe ti i ke njohur ato. Vërejtjet që të kemi bërë lidhur me këto të meta ne i kemi quajtur të mjaftueshme. Edhe shoku Rita Marko të ka bërë disa vërejtje. Vërejtjet që po të bëjmë tani, po t’i themi shoqërisht, si anëtar i Komitetit Qendror dhe si shok që ke pasur pozita me përgjegjësi, e që tani po të dërgojmë në një detyrë tjetër akoma më të lartë.

Ne kemi bindjen se ti do të reflektosh mbi këto vërejtje dhe do të punosh mirë në Ministrinë e Kulturës. Bashkëpunimi yt me të gjithë shokët në ministri, me ata të Kryesisë së Qeverisë, me shokët e Propagandës, të Arsimit e të Kulturës në Komitetin Qendror, si dhe me të gjithë ne të tjerët, duhet të jetë i ngushtë dhe komunist. /Memorie.al

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

 

Fraksion.com