Schumer: Biden duhet të shfrytëzojë rezervat e naftës për të ulur çmimin e karburantit
Administrata e Presidentit Joe Biden duhet të shfrytëzojë rezervat për raste emergjente të naftës për të ulur çmimin në rritje të karburantit ndërsa amerikanët po hyjnë në sezonin e festave, tha të dielën udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.
“Ne jemi këtu sot sepse kemi nevojë për një lehtësim të menjëhershëm në pikat e furnizimit me karburant dhe duhet të shqyrtojmë mundësinë epërdorimit të Rezervave Strategjike të Naftës”, tha senatori demokrat Schumer, në një konferencë shtypi në Nju Jork.
Rritja e çmimeve të karburantit dhe shitjes së makinave shkaktuan një rritje të çmimeve të produkteve të konsumit në Shtetet e Bashkuara në tetor. Çmimi i naftës arriti në mbi 80 dollarë për fuçi në tetor, ndërsa OPEC-u dhe aleatët e tij kundërshtuan thirrjet e Shteteve të Bashkuara për rritjen e prodhimit të naftës bruto.
Sekretarja e Departamentit të Energjisë Jennifer Granholm tha të hënën e kaluar se Presidenti Biden mund të vepronte, por se ende nuk kishte asnjë njoftim për një vendim mbi shfrytëzimin ose jo të Rezervave Strategjike të Naftës, të magazinuara pranë brigjeve të Teksasit dhe Luizianës.
Analistët kanë paralajmëruar se përdorimi i Rezervave Strategjike e Naftës do të ofronte vetëm një efekt afatshkurtër, pasi një veprim i tillë nuk do të rriste kapacitetin e Shteteve të Bashkuara për të prodhuar naftë.
Republikanët kanë kritikuar administratën e Presidentit Biden, duke thënë se rritja e çmimeve dhe inflacionit reflektojnë axhendën e Shtëpisë së Bardhë për rritjen e shpenzimeve.
Këshilltarët ekonomikë të Presidentit Biden mbrojtën politikat e tij të dielën, duke thënë se rritja e inflacionit është një çështje globale e lidhur me pandeminë e Covid-19, e jo rezultat i programeve të administratës amerikane.
“Nuk ka dyshim se inflacioni është i lartë tani. Kjo po ndikon xhepat e amerikanëve”, tha Brian Deese, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC. “E rëndësishme është që ne ta krahasojmë këtë me periudhën kur presidenti filloi detyrën, kur ne po përballeshim me një krizë të përgjithshme ekonomike”, shtoi ai./voa
Fraksion.com