AktualitetPolitikëTë fundit

“Isha vetëm 17 vjeç kur i dhashë dorën”; Basha: Besa e vetme që kam lidhur me Berishën

Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaron se “të vetmen besë që kam lidhur me Sali Berishën, që ditën e parë që i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit kur kam qenë vetëm 17 vjeç, ishte për angazhimin dhe përkushtimin tim pa asnjë kusht për demokracinë, për Partinë Demokratike, për demokratët, për Shqipërinë”.

Në një reagim, Basha thekson se “e njëjta besë ka qenë edhe në 2005, kur u angazhova me gjithë forcat e mia për fitoren e Partisë Demokratike, e më pas për përmbushjen e projekteve që ndryshuan njëherë e përgjithmonë Shqipërinë, të cilat i rikthyen dinjitetin shqiptarëve”.

“Kurrë nuk ka pasur marrëveshje e as besë mes meje dhe Sali Berishës, që të shkelmonim sakrificën e demokratëve, për të mbrojtur njëri-tjetrin nëse cënoheshin interesat personale. Që pas 9 shtatorit gjithkush është shtangur nga etiketimet që Sali Berisha ka bërë ndaj meje. Natyrisht unë nuk kam ndërmend të shkel mbi vitet e bashkëpunimit me të, në të mirë të shqiptarëve dhe Shqipëris. Besa ime është për ta dhe për çdo demokrat, siç ka qenë ditën e parë”, thekson ai.

“Tani sa i përket besë prerjes, që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto 2 muaj nga Sali Berisha. Nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Jo! Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Që e ka ditur ta vlerësojë edhe publikisht. Besa e vlerave euroatlantike, që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO, besa e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Besa për interesat më të mira të shqiptarëve që nga heqja e vizave, tek ndërtimi i infrastrukturës moderne. Kjo ka qenë besa nëse mund të themi besë që kemi lidhur me njëri-tjetrin. Dhe jo t’i binim me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënoheshin interesat personale të tij apo të miat. Kjo është e vërteta! Dhe gjithçka tjetër është një spekulim i pastër për të mbrojtur hallet dhe problemet personale të Sali Berishës”, shprehet Basha.

 

Fraksion.com